Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut zhvilloi sot analizën e punës për vitin 2022, ku u diskutua mbi problematikat dhe objektivat, që do të realizohen gjatë vitit 2023.

 

Nga analiza e punës rezulton se performanca e ISHMT-së ishte shumë pozitive për vitin 2022.

 

ISHMT kreu gjatë vitit 2022 në total 2 569 inspektime, nga të cilat 2 322 inspektime të programuara dhe 247 jashtë programit mbi bazë ankimi.

 

Në analizën e punës u bë e ditur se nga ana e ISHMT-së, janë vendosur 375 masa administrative në total nga të cilat 74 paralajmërime, 261 gjoba dhe 40 masa urgjente (bllokim, shkatërrim), si dhe janë kontrolluar 11 059 produkte, nga të cilat 848 produkte kanë qenë jo në konformitet.

 

Në lidhje me monitorimin e çmimeve të karburanteve dhe të ushqimeve të vendosura nga Bordi i Transparencës, nga ISHMT, në këtë periudhë janë realizuar 832 inspektime dhe monitorime, ku janë vendosur 17 masa administrative gjobë.

 

Po ashtu, përgjatë 2022-shit, ISHMT kreu në total 2 354 monitorime dhe inspektime në lidhje me ndalimin e përdorimit, hedhjes në treg, prodhimit, importimit, apo futjes në territorin e Republikës së Shqipërisë të qeseve plastike mbajtëse si dhe qeseve plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme.

 

ISHMT informoi se janë vendosur 4 masa administrative nga të cilat 1 gjobë, 3 masa ndalim tregtimi dhe si rezultat janë sekuestruar 187 kg qese plastike jokonform.

Ndër arritjet e ISHMT-së, janë ndikimi në uljen e mos-konformiteteve të produkteve joushqimore si dhe në respektimin e të drejtave të pronësisë intelektuale nëpërmjet inspektimeve të kryera gjatë vitit 2022.

 

Sipas ISHMT-së, inspektimet e vazhdueshme dhe të rregullta në treg, të shoqëruara nga fushata sensibilizuese, kanë ndihmuar në përpjekjet institucionale për të arritur këtë objektiv.

 

Inspektorët, vuri në dukje ISHMT, kanë zbatuar standardet bashkëkohore të inspektimit duke u trajnuar me suport te projekteve të Bashkimit Evropian.

 

Informimi i konsumatorëve mbi të drejtat e tyre për të disponuar produkte, pajisje apo instalime të sigurta dhe informimi i operatorëve ekonomikë, për të respektuar kërkesat ligjore të përcaktuara në legjislacionin aktual, për të ofruar në treg produkte të sigurta e për të respektuar të drejtat e pronësisë intelektuale, ishin një tjetër fokus i ISHMT gjatë 2022.

 

Për vitin 2023, fokusi kryesor i ISHMT-së, do të jetë në grup-produktet që kanë rezultuar me problematika të ndryshme në vitet paraardhëse, që kanë një ndjeshmëri në treg si p.sh instrumentat matës ligjërisht të kontrolluar, parapaketimi, dekodera, karikues, llamba, etj, regjistrimi i ashensorëve në ISHMT, produkte për të cilat deri tani, nuk ka patur veprimtari mbikëqyrëse si: kimikate, artikujt aerosol, enët e thjeshta nën presion, pajisjet e gazit, artikujt piroteknik, lodrat dhe artikujt e kujdesit për fëmijë, si dhe respektimin e të drejtave të pronësisë intelektuale.

 

Në vitin 2023 do të realizohen në total 2 580 inspektime nga të cilat 2 064 të programuara dhe 516 të paprogramuara./ATSH