Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar në lidhje situatën ekonomike në vend.

 

Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku tha sot se qeveria në mungesë të alternativave ekonomike ka vendosur të ripropozojë ligjin për bastet sportive.

 

“Sot, rreziku kryesor për sigurinë e familjet shqiptare është situata ekonomike, korrupsioni dhe largimi shtresës së mesme. Në mungesë të një alternative ekonomike  dhe një strategjie zhvillimi, qeveria e pakicës ka vendosur të ripropozojë ligjin për bastet sportive. Pakkush e di, për çështjet gjyqësore për ligjin e basteve që kam kundër qeverisë në gjykatë; ajo që parashikova, u realizua, pasi me ligjin e basteve qeveria nxori nga tregu operatorët e vegjël; e përqendroi në disa duar; favorizoi me leje për kazino disa biznese të mëdha dhe lufta e grupeve kriminale për kontrollin e tregut doli jashtë kontrolli. E gjitha kjo vjen në një çast kur po prisnim nga qeveria të shprehej për skandalin McGonigal. Shqiptarët prisnin të dëgjonin qeverinë mbi përfshirjen e kryeministrisë në shpifje kundër PD, morëm ligjin e Lojërave të Fatit, dmth qokën për pakicën”, tha ajo.

 

Po ashtu Tabaku akuzoi qeverinë se ka zero politika për shtresën e mesme dhe politikat fiskale.

 

“Prisnim përgjigje për shtresën e mesme, qytetarët, ekonominë e ndërkohë alternativa është përsëri një ligj për pakicën e jo shumicën. Kjo qeveri ka 0 politika për të mbajtur shtresën e mesme në vend, punon për të mbajtur oligarkët me koncesione. Kjo qeveri ka 0 politika fiskale për qytetarët sepse është qeveria e pakicës, punon për të miratuar ligje me porosi. Një qeveri  e pakicës së shqiptarëve që nuk punon për qytetarët por për korrupsionin dhe oligarkët”, tha ajo./ATSH