Përleshje të reja shpërthyen sot në kryeqytetin sudanez Khartum midis ushtrisë sudaneze dhe grupit paraushtarak Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), ndërsa po shkëmbehen akuza të ndërsjella për shkeljen e armëpushimit treditor.

 

Sipas dëshmitarëve okularë, dhuna shpërtheu në afërsi të komandës së ushtrisë dhe pallatit presidencial në qendër të Khartumit. Përleshje të ashpra u raportuan edhe në Omdurman, qytetin binjak të Khartumit.

 

Në një deklaratë, ushtria sudaneze akuzoi RSF-në për granatimet e komandës së ushtrisë në Khartumin qendror.

 

Ushtria përmendi gjithashtu përpjekjet e forcave paraushtarake për të dërguar përforcime ushtarake nga rajonet Kordofan dhe Darfur në Khartum.

 

RSF-ja, nga ana e saj, akuzoi ushtrinë për kryerjen e sulmeve artilerike dhe ajrore në pozicionet e tyre në pallatin presidencial dhe në jug të Khartumit.

 

Dhuna e re erdhi pavarësisht një armëpushimi treditor të dakorduar nga dy rivalët ndërluftues të martën.

 

Ndërkohë, ambasadori sudanez në Ankara, Nader Youssef, tha se ushtria arriti të godasë linjat e furnizimit të RSF-së në Khartum dhe zonat përreth.

 

“Ushtria ka shumë të ngjarë të kontrollojë situatën në kryeqytet dhe ta sigurojë atë gradualisht në ditët në vijim”, tha ai për Anadolu.

 

Të paktën 460 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 4.000 janë plagosur në përleshjet midis ushtrisë dhe forcave të RSF-së që nga 15 prilli, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.

 

Një mosmarrëveshje doli në pah muajt e fundit midis ushtrisë dhe paraushtarakëve në lidhje me reformën e sigurisë ushtarake.

 

Reforma parashikon pjesëmarrjen e plotë të RSF-së në ushtri, një nga çështjet kryesore në negociatat me palët ndërkombëtare dhe rajonale për një kalim në një sundim civil e demokratik./AA