Gjykata e Elbasanit ka dhënë dënim të përjetshëm për ish-policin, Koço Buzo i cili vrau gruan e tij në maj të 2021.

 

Koço Buzo qëlloi për vdekje me kallashnikov bashkëshorten e tij Liljana Buzo, 54 vjeçe, teksa plagosi dy persona të tjerë.

 

Kujtojmë se ngjarja ndodhi më 6 maj pranë Gjykatës së Elbasanit, ku do të vendosej për divorcin e çiftit që kishte prej vitesh konflikte.

 

Viktima Liljana Buzo ishte larguar disa herë nga shtëpia, për shkak të dhunës së vazhdueshme psikologjike e fizike të ushtruar nga bashkëshorti i saj, Koço Buzo. Në ditën e ballafaqimit të palëve në gjykatë, dy djemtë e çiftit po shoqëronin të ëmën për në gjykatë, ku do zhvillohej seanca e parë e çështjes pas denoncimit të bërë për ushtrim dhune për 58-vjeçarin Koço Buzo ndaj bashkëshortes së tij.

 

Seanca dështoi, pasi bashkëshorti i akuzuar si dhunues nuk u paraqitur në seancën gjyqësore, edhe pse kishte konfirmuar praninë e tij pas marrjes së njoftimit zyrtar.

 

58-vjeçari ka ndjekur fshehurazi lëvizjet e bashkëshortes dhe dy djemve të tij dhe, pasi ato kanë hyrë në Godinën e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Elbasanit. Në momentin që bashkëshortja e tij, Liljana Buzo, e shoqëruar nga dy fëmijët, kanë dalë nga gjykata, ai i kishte zënë pritë dhe ka qëlluar menjëherë mbi të me breshëri kallashnikovi. Sikur mos të mjaftonte kjo, ai i ka ngulur edhe thikën në grykë.