Banka e Shqipërisë bëri të ditur sot se, çmimet e shitjes në ndërtim shënuan rënie, ndaj gjashtëmujorit të mëparshëm.

 

Sipas indeksit Fischer të çmimit të banesave, që llogaritet me bazë 6-mujore, çmimi mesatar i banesave të shitura gjatë 6-mujorit të dytë 2022 ka rezultuar në rritje me 16.6 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por është ulur me 9.1 % në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit.

 

Në veçanti për Tiranën, indeksi i çmimeve ruajti ritmet e rritjes vjetore, me 13.9 %, por me bazë gjashtëmujore pësoi edhe një rënie më të thellë, me 11.4 % më pak.

 

Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo ecuri sugjeron se, rritja e çmimeve mund të ketë hyrë në një fazë normalizimi, pas një rritjeje prej 28.4 % në gjashtëmujorin e parë të vitit (kundrejt gjashtëmujorit paraardhës).

 

Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë thekson se, çmimet e vlerësuara në gjashtëmujorin e parë 2022 ishin diktuar ndjeshëm nga numri i lartë i raportimeve për shitje në zona me çmime relativisht më të larta, ndërkohë që për gjysmën e dytë të vitit shpërndarja e shitjeve sipas zonave, llojit dhe vlerës së banesave është disi më heterogjene.

 

Vërehet gjithashtu se, në gjashtëmujorin e dytë, është rritur pesha e transaksioneve ku çmimi i blerjes së pronës për shitjet e kryera ishte më i ulët se çmimi i kërkuar nga shitësi.

 

Pavarësisht frenimit të çmimeve, vlerësimi i përgjithshëm i agjentëve për situatën e përgjithshme të tregut ishte më pozitiv në krahasim me periudhën e kaluar.

 

Numri i banesave të reja të regjistruara nga agjentët ka qëndruar thuajse i pandryshuar në krahasim me periudhën paraardhëse, ndërsa numri i pronave të pashitura, si për banesat, ashtu edhe për godinat tregtare, ka vijuar të shënojë rënie për disa gjashtëmujorë radhazi.

 

Koha mesatare e shitjes së banesave në rang vendi ra në 10 muaj, nga 10.8 muaj gjashtë muaj më parë, si pasojë e rënies së ndjeshme në kohën e shitjes së banesave në zonat e tjera.

 

Për Tiranën, subjektet e intervistuara kanë raportuar një kohë mesatare shitjeje prej 10.7 muajsh, dhe kjo vlerë ishte rreth 1 muaj më shumë nga një gjashtëmujor më parë. Për zonën e bregdetit, koha e shitjes është rritur nga 6 në 7.3 muaj.

 

Koha e shitjes së pronave në zonat e tjera është raportuar dukshëm më e ulët, nga 13.1 në 9.6 muaj.

 

Financimi nëpërmjet kredisë bankare ka vijuar të figurojë në një pjesë të mirë të shitjeve të pronave. Sipas agjentëve, ashtu si periudhën e kaluar, më shumë se gjysma (56 %) e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare. Nga këto, në 80% të rasteve, kredia ka mbuluar deri në 60 % të vlerës.

 

Megjithëse shifrat për çmimet e qirasë, nuk janë detajuar, sipas agjentëve ato kanë shënuar rritje gjatë periudhës. Kërkesa e përgjithshme për marrje me qira raportohet më e lartë nga kërkesa gjatë gjashtëmujorit të parë 2022. Informacioni mbi kërkesën dhe çmimet e qerasë vjen kryesisht nga agjentët që kryejnë aktivitet në zonën e kryeqytetit.

 

Pritjet për të ardhmen paraqiten pozitive, pavarësisht pasigurive të lidhura me situatën. Agjentët kanë pritje pozitive për ecurinë e tregut në territorin ku ata veprojnë për të ardhmen afatshkurtër dhe për periudhën më afatgjatë deri në dy vjet.

 

Numri i pronave që pritet të regjistrohen për shitje gjatë periudhës në vazhdim, pritet të mos ketë luhatje të qenësishme, duke qenë se përgjigjet e agjentëve tregojnë një rezultat të balancuar. Nga ana tjetër, agjentët presin gjithashtu rritje të çmimeve të pronave të paluajtshme për banesat dhe pronat tregtare.