Banorët e Bërxullës janë ngritur sërish në protesta kundër projektit Thumanë-Kashar.

 

Ata kanë bllokuar njërin kah të rrugës së Rinasit.

Një pjesë e banorëve janë ulur në mes të aksit rrugor ndërsa ka pasur edhe përplasje me policinë.

 

Më pas efektivët kanë devijuar qarkullimin e makinave vetëm në njërin kah të rrugës.

Pronat e tyre preken nga ndërtimi i rrugës Thumanë-Kashar dhe aktualisht kanë nisur punimet. Banorët protestojnë prej muajit tetor, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

‘Kërkojmë zgjidhje, marrëveshje e dialog, por këta nuk ulen që të na japin zgjidhje. Jam denoncuar në Prokurori së bashku me familjen. Turpin ta kenë ata që na kanë çuar në prokurori. Janë 5 familje, së bashku me fëmijë. Por është vendosur të mos procedohemi penalisht pasi në shpresën zyrtare të Prokurorisë thuhet se jemi në të drejtën tonë.

 

Jemi denoncuar nga Komisariati i policisë Vorë, duan të na zhdukin, të na fusin në burg, që të mos ketë njeri që të dalë në protestë. Unë do i kthejë denoncimin. Nuk jam sjellë asnjëherë kundra ligjit.

 

Nuk i kemi krijuar askujt probleme, jam paditur për të dytën herë familjarisht. Një zonjë që hipi në shtyllë është paditur për këtë.

 

Do shkoj në Hipotekë të martën për të gjitha procedurat që i kam çuar drejtorit të Hipotekës aty. Dosjet që kanë mangësi duhet të plotësohen. S’duam që të bëhen dokumente për të na mbyllur sytë, por të jetë e kompletuar.

 

Jam kundër votimit, të gjitha banorët e fshatit s’duhet të marrin pjesë në votime.

 

Arsyeja dihet, 7 muaj nuk kemi një përgjigje se ç’do bëhet me këta banorë. Duhet të vijnë të ulen me ne, në publik në praninë e mediave. Të bëjnë deklarata për shtyptë na tregojnë se si do të zgjidhet’, thanë banorët.

 

Ata deklaruan se po protestojnë për të drejtat e tyre dhe kanë kërkuar zgjidhje.

 

‘Gjurma është bërë me Google, jo me gjurmë në terren. Situata është bërë gangrenë, është maskaradë e madhe. As vetë nuk i japin zgjidhje, sepse i ka ngelur në dorë projekti.

 

Do të rezistojmë deri në ditën e fundit, ky projekt na shkatërron neve si fshat. Kryeministri urgjentisht të vijë këtu, protesta do vazhdojë. Nuk dihet se si do të shkojnë punët’, thanë ata.