Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së lirisë, Tedi Blushi denoncoi sot në një deklaratë për mediet atë që e cilësoi rast skandaloz të abuzimit flagrant me taksat e qytetarëve të Tiranës, nëpërmjet asfaltit elektoral, që po hidhet me nxitim nga Erion Veliaj në shumë rrugë të kryeqytetit, të braktisura prej tij prej 8 vitesh.

 

Nga një verifikim në terren, sipas Blushit, në Njësinë Bashkiake Nr.5, në tre rrugë të shtruara brenda një distance prej 70 sekondash larg njëra-tjetrës, rezulton se metri i asfaltit elektoral është i ndryshëm.

 

Ndërkohë, tha ai, “kemi të njëjtën kompani ndërtimi, që ka kryer të njëjtin objekt punimesh: sistemim-asfaltim”.

 

“Në rrugën “Nikolla Tupe”, 1 metër asfalt elektoral koston 19,994 lekë. Në rrugën mbrapa shkollës “Edit Durham”, metri i asfaltit elektoral koston 25,103 lekë. Ndërsa në rrugën “Beqir Rusi”, 1 metër asfalt elektoral koston 29,315 lekë. Si shpjegohet që njëra rrugë koston gati 40% më shtrenjtë se rruga tjetër, ndërkohë që kemi të njëjtën cilësi asfalti dhe të njëjtin objekt punimesh?”, u shpreh Blushi.

 

“Arsyeja është shumë e thjeshtë, vjedhja dhe abuzimi me taksat e qytetarëve të Tiranës, nga Kryetari ende në detyrë i Bashkisë, Erion Veliaj.

 

Ky 40% në fakt nuk është gjë tjetër vetëm korrupsion, lekë të grabitura të qytetarëve të Tiranës, që përfundojnë në xhepat e Erion Veliajt dhe kompanive pranë tij, në funksion të zgjedhjeve.

 

Kapja në flagrancë duhet t’i mjaftojnë organeve të drejtësisë për të nisur menjëherë hetimet dhe nxjerrjen e përgjegjësisë ligjore për këdo që vazhdon vjedh paturpësisht”, përfundoi Blushi.