Drejtoria e Burgjeve ka reaguar për vdekjen e 51-vjeçarit Simon Toska mëngjesin e sotëm në paraburgimin e Fierit, i arrestuar për “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”.

 

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, informon opinionin publik se me datë 04.05.2023, rreth orës 04:00 në Spitalin Rajonal Fier ka ndërruar jetë shtetasi Simon Hashim Toska, i datëlindjes 15.04.1972, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve” të parashikuara nga neni,(283/2) i Kodit Penale.

 

– Shtetasi Simon Hashim Toska, është pranuar në IEVP Fier me masë sigurie arrest me burg, me datë 13.08.2021 dhe pas vizitës shëndetësore është pajisur me kartele klinike numër 4253.

 

– Që në momentin e pranimit ky shtetas është konsultuar me mjekët e institucionit, ku nuk ka referuar për ankesa klinike akute. Gjatë qëndrimit në institucion ky shtetas nuk ka paraqitur ankesa klinike dhe nuk ka marr trajtim me medikamente për patologji kronike.

 

– Me datë 03.05.2023, rreth orës 12:00 shtetasi Simon Toska ka referuar për lodhje dhe dobësi trupore. Presioni arterial 100/70 mm Hg, pulsi arterial në normë. Në këto kushte iu vendos një perfuzion, ku më pas referoi që ndjehej mirë dhe në gjendje të stabilizuar, nuk referoi për ankesa klinike.

 

– Më datë 04.05.2023 në orën 03:25 gjatë patrullimit në sektor punonjësi i policisë me shërbim njofton në radio punonjësit e shërbimit shëndetësor në detyrë, se i paraburgosuri Simon Toska ka probleme me frymëmarrjen. Pas njoftimit rreth orës 03:30 infermierët e shërbimit së bashku me grupin e sigurisë shkojnë në dhomën e shtetasit Simon Toska, në godinën e paraburgimit. Ky shtetas ka referuar për probleme, vështirësi në frymëmarrje, presioni arterial 90/60 mm Hg. Menjëherë i është dhënë ndihma e parë shëndetësore, i është aplikuar medikamenti (1 ampul) prednizolon dhe është rekomanduar të dërgohet në urgjencën e Spitalit Rajonal Fier.

 

– Në orën 03:34 ky shtetas është nisur për në urgjencën e Spitalit Fier, ku edhe gjatë rrugës është asistuar me masazh kardiak. Në urgjencën e Spitalit Rajonal Fier, i është dhënë ndihma mjekësore (goditja me kardio- version), në EKG konstatohet asistoli. Me gjithë ndihmën mjekësore që i është dhënë këtij shtetasi, mjekët e Spitalit Fier konkluduan se, shtetasi Simon Toska ka vdekur.