Komiteti i Përbashkët mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit u mblodh ditën e sotme në Tiranë, ku u diskutua mbi zhvillimet ekonomike, teknologjike dhe ato industriale.

 

Zëvendëskryeministrja, njëkohësisht dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh se bashkëpunimet mes dy vendeve janë të hershme, sidomos në çështjet energjetike.

 

Balluku tha se janë duke u diskutuar gjatë të gjitha mënyrat sesi mund të bashkëpunojmë me Azerbajxhanin në fushën e agrikulturës, të edukimit dhe të kulturës.

 

Një tjetër temë, e cila u diskutua ishte ajo për aviacioni civil. Sipas ministres së Infrastrukturës, ka ardhur koha që Shqipëria dhe Azerbajxhani të kenë linja direkte fluturimi, pasi kjo është kërkesë e përbashkët e dy qeverive.

 

“Pata kënaqësinë sot të kem në Tiranë Komitetin e përbashkët midis Shqipërisë dhe Azerbajxhanit, përsa i përket zhvillimeve ekonomike, teknologjike dhe atyre industriale. Me ministrin e Energjisë së Republikës së Azerbajxhanit ne kemi një bashkëpunim të hershëm përsa i përket të gjitha çështjeve energjetike dhe mbështetjeve që ne marrim nga qeveria e Azerbajxhanit, por sot biseda qe mjaft konstruktive dhe Komiteti i krijuar dy palësh arriti në disa konkluzione që më pas u firmosën në një protokoll midis dy grupeve.

 

Duhet thënë që patjetër fusha energjetike është ajo që ka interesin më të madh midis dy palëve, duke patur parasysh projektet e rëndësishme që kemi si gazifikimi i Korçës apo ekspansioni i konsorciumit TAP, gazi i lëngshëm në portin e triportit të Vlorës dhe shumë projekte të tjera të rëndësishëm që ne prej kohësh i kemi komunikuar me publikun.

 

Por, nga ana tjetër edhe në fushën e agrikulturës, por edhe në fushën e edukimit dhe të kulturës u diskutuan gjatë të gjitha mënyrat sesi mund të bashkëpunojmë nga shkëmbimi i eksperiencave dhe deri tek mbështetja e ndërsjellët midis dy vendeve.

 

Ndërkohë duhet pasur parasysh që një tjetër fushë interesi midis dy vendeve tona është ajo e transportit, duke vënë një fokus kryesor në transportin e aviacionit civil. Pra, aviacioni civil ishte nga çështjet që diskutuam sot pasi një linjë direkte midis dy vendeve tona, midis dy kryeqyteteve Baku dhe Tiranës është një kërkesë e të dyja qeverive”, tha Balluku.