Goditi me çekiç në kokë fqinjin, kapet dhe vihet në pranga 42-vjeçari i shpallur në kërkim 3 ditë më parë.

 

Në vijim të punës lokalizuese dhe operacionale, më qëllim kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, falë dhe mbështetjes së inteligjencës informative, ndaluan shtetasin Ermal Sino, 42 vjeç.

 

 

42-vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi më datë 02.05.2023, në lagjen “29 Nëntori”, Fier, dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me send të fortë (çekiç) në kokë, shtetasin Q. H., 55 vjeç, banues në Fier.

 

Gazetari Ervis Kuçi duke iu referuar burimeve nga policia raportoi për “BalkanWeb” se autori dhe 55-vjeçari ishin fqinj dhe ishin konfliktuar për një ballkon.

 

55-vjeçari pas marrjes së asistencës mjekësore u largua në banesë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.