Durrësi, një nga qarqet më të mëdha në vend, me një kontribut të rëndësishëm në ekonomi, për shkak të pozicionit gjeografik, nuk arrin të gjenerojë të ardhura të mjaftueshme nga pushteti lokal, duke pasur varësi të lartë nga paratë që jep qeverisja qendrore.

 

 

Sipas të dhënave të relacionit të projektbuxhetit 2023 të Bashkisë së Durrësit, në vitin 2022, të ardhurat totale të pritshme ishin rreth 3.2 miliardë lekë, nga 3.7 miliardë lekë, që ishte plani fillestar për shkak të mosrealizimit të të ardhurave.

 

Vetëm rreth 40% e buxhetit sigurohet nga të ardhurat që Bashkia mbledh nga taksat dhe tarifat.

 

Në total, të ardhurat e veta ishin rreth 1.55 miliardë lekë në 2022, pa shënuar rritje në raport me vitin e mëparshëm, ndonëse ekonomia lokale vlerësohet të jetë përmirësuar në linjë me rritjen e vendit me më shumë se 4% dhe turizmi shënoi vitin e tij më të mirë historik (sipas raportimeve të operatorëve, bregdeti i Durrësit kishte zënien më të madhe të kapaciteteve në vend, me rreth 90%).

 

Plani fillestar për vitin 2020 ishte që Bashkia të mblidhte 2 miliardë lekë, por ai është realizuar vetëm 77%.

 

Taksa e pasurive të paluajtshme zë peshën më të madhe të të ardhurave të veta, me rreth 21% të totalit.Në kahun e shpenzimeve, në vitin 2022 konstatohet një rritje e ndjeshme e fondeve për mbrojtjen e mjedisit (plehrat). Ky zë ishte gati 1.1 miliardë lekë në 2022 (i pritshmi), me rritje 147% në krahasim me vitin 2021.

 

Bashkia ka paguar për plehrat në vitin 2022, gati sa 70% e të ardhurave që ajo mbledh nga taksat dhe tarifat, ose 34% të totalit të burimeve që ajo kishte në dispozicion në 2022.

 

 

Rritja e shpenzimeve për mbrojtjen e mjedisit erdhi pas mbylljes së depozitimit të Porto Romanos dhe dërgimit të mbetjeve në inceneratorin e Sharrës në Tiranë.

 

 

Bashkia e Durrësit, sipas burimeve të saj, gjeneron çdo ditë rreth 200 tonë mbetje, ose rreth 70 mijë tonë në vit.

 

Sipas kontratës, që qeveria ka me koncesionarin e plehrave në Sharrë, kosto e depozitimit të mbetjeve është 29.05 euro/ton për të gjithë kohëzgjatjen e koncesionit.

 

Pra çdo vit, Bashkisë së Durrësit do t’i duhen të paktën 2 milionë euro në vit vetëm për pagesën e koncesionarit.

 

Në Bashkitë e tjera, shpenzimet për mjedisin nuk zënë më shumë se 10% të totalit, me Tiranën që e ka këtë tregues në 10% dhe Elbasanin, në 3.3%.

 

Teksa Bashkia ka çuar më shumë fonde për pastrimin e plehrave ka pasur më pak mundësi që të investojë në shërbime të tjera me dobi për qytetin.

 

P.sh., për 9-mujorin 2022, kur janë të disponueshme të dhënat faktike nga Co-Plan, shpenzimet për mbrojtjen e mjedisit ishin 673 milionë lekë, ndërsa ato kapitale, 609 milionë lekë!

 

Në vitin 2019, shpenzimet për mbrojtjen e mjedisit ishin sa 25% të atyre kapitale.

 

Shpenzimet për pagat e personalit zënë rreth 25% të totalit të burimeve që ka në dispozicion Durrësi. Numri i punonjësve në total, në vitin 2022 ishte 1,850 dhe pritet të qëndrojë në pothuajse të njëjtat nivele deri në 2025-ën.

/Monitor