Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Itali, ku një 45-vjeçar shqiptar Taulant Malaj goditi për vdekje vajzën e tij 16-vjecare dhe 51-vjeçarin italian Massimo De Santis.

 

Sipas informacioneve, Malaj e ka goditur më shumë se 20 herë me thikë 51-vjeçarin italian Massimo De Santis, me të cilin dyshonte se kishte lidhje dashurie bashkëshortja e tij Tefta.

 

Mediat italiane kanë publikuar detaje nga ekspertiza e hetuesve, të cilët thonë se për shkak të goditjeve të shumta, trupi i italianit ishte i copëtuar. Thika e tij i shkaktoi plagë të rënda edhe të bijës 16-vjeçare Xhesika, e cila sipas mediave ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital.

 

Nga hetimet e para, motivi i krimit mendohet se është një lidhje e dyshuar mes 51-vjeçarit të vrarë, Massimo De Santis, dhe gruas shqiptare.

 

Pasi vrau të dashurin e dyshuar të gruas së tij dhe vajzën 16-vjeçare, 45-vjeçari shqiptar Taulant Malaj filmoi viktimat me celularin e tij. Në videon me pamje shumë të rënda, që po qarkullon në disa biseda të Ëhatsapp-it, ai i drejtohet edhe gruas së plagosur në gjuhën shqipe.

 

Në video ai prezantohet me emrin e tij dhe më pas tregon trupin e 51-vjeçarit Massimo De Santis, të cilin e ka vrarë së fundmi: “E shihni këtu, ai është italiani”.

 

Më pas, ai shton, “Unë tashmë e kam falur një herë gruan time, ai është i dyti”. “E kam therur, i kam vrarë të tre, edhe vajzën, shiko këtu”, vijon ai duke fyer gruan e tij 39-vjeçare e cila shtrihet e plagosur pranë trupit të së bijës.

 

Siç shkruajnë mediat italiane, çifti ishte në proces divorci. Fqinjët thonë se 45-vjeçari shqiptar kishte kohë që ishte larguar nga banesa dhe nuk jetonte më me bashkëshorten dhe fëmijët.

 

Italiani Massimo De Santis ishte pastiçer dhe pronar i një aktiviteti të njohur tregtar në Torremaggiore, ku jetonte në të njëjtën shkallë pallati me familjen shqiptare.