Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se afër 100 mijë të rinj të moshës 15 deri në 24 vjeç nuk ndjekin as shkollim, as ndonjë trajnim dhe nuk janë të punësuar.

 

Afër 100 mijë të rinj në Kosovë nuk janë as në shkollë, as në trajnim e as në punë.

 

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka treguar se qytetarët nga mosha 15 deri në deri në 24-vjeç, që përpos se janë të papunë, nuk janë as në shkollë dhe nuk ndjekin trajnime profesionale.

 

“Nga të dhënat që i përkasin periudhës së tremujorit të parë të vitit 2022, më shqetësuese mbetet numri prej 100 mijë prej tyre të moshës nga 15 deri në 24-vjeç, që përpos se janë të papunë, nuk janë as në shkollë dhe nuk ndjekin trajnime profesionale”.

 

Po ashtu është treguar se mbi 750 mijë persona në Kosovë janë ekonomisht jo-aktivë, që nuk janë në punë dhe aktualisht nuk janë të regjistruar në ndonjë nga zyrat shtetërore që kërkojnë punë.

 

“…janë mbi 1.2 milion qytetarë në moshë pune, mbi 380 mijë janë të punësuar, mbi 77 mijë janë të papunë dhe mbi 750 mijë janë ekonomikisht joaktivë.

 

Duke folur për numrin prej rreth 100 mijë të rinjsh, kryeshefi i ASK-së, Ilir Berisha në një deklarim për media ka thënë se të njëjtit mbahen nga familja dhe nuk kanë bërë ndonjë kërkesë që të kyçen në tregun e punës.

 

“Personat jo-aktivë dhe ata që nuk kërkojnë punë konsiderohen në Kosovë që gjatë tremujorit të parë të vitit 2022 ishte një shifër mbi 740 mijë persona, nga këta janë 98 mijë e 271 të rinj. Të gjitha këto janë rezultate të anketës të fuqisë punëtore që bazohen me një mostër dhe kornize e mostrës janë të dhënat e regjistrimit të popullsisë të vitit 2011 me ndryshime demografike dhe ende konsiderojmë që këto rezultate në të ardhmen do të ndryshojnë pasi të bëhet regjistrimi i këtij viti, pasi konsiderojmë se popullsia rezidente aktualisht nuk është kjo shifër siç e kemi në kornize mostër aktualisht”.

 

Sipas tij janë disa faktorë që ndikojnë që një pjesë e madhe e të rinjve janë pa punë, shkollë e trajnime, pranon se numri i personave që nuk kërkojnë punë është duke u rritur.

 

“Së pari jetojnë në bashkësi familjarë të cilët janë të mbajtur nga prindërit apo familja ka burime të tjera dhe familja nuk bënë ndonjë kërkesë që ata të hyjnë në tregun e punës, si të kërkojnë punë. Mund të kryejnë edhe punë të tjera, të cilat në definicione të punësimit nuk konsiderohen, por që janë obligime familjare, ndihmojnë prindërit e tyre në bizneset e tyre apo në diçka të ngjashme. Mirëpo, numri i kontingjentit të popullsisë joaktive që nuk kërkojnë punë dhe që nuk punojnë është duke u rritur vazhdimisht”.

 

Kurse, kryetari i Bashkimit te Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli ka thënë se shifra e lartë e të rinjve pasivë konsiderohet rrezik i madh.

 

“Duhet që institucionet tona patjetër të ulen dhe të shohin, t’i kthejnë projektet në vendin tonë. Ne kemi një numër të konsiderueshëm te të rinjve që nuk kanë punë. Mendoj se ne si shoqëri, por edhe punëdhënësit duhet të bëjnë projekte të ndryshme që këtë fuqi punëtore ta ndalim duke ju ofruar projekte të ndryshme, mirëpo edhe duke u kujdesur për të punësuarit që të kenë një standard më të mirë të jetesës. Pra, të kenë një rrogë e cila i plotëson nevojat, të kenë pushimin, dhe të gjitha përfitimet tjera që i a kanë në çdo shtet të BE-së. Dhe nëse i bëjmë këto ne si shoqëri dhe institute, atëherë do të ndikojmë mjaftë shumë në qetësimin e ikjeve te të rinjve që mendojmë se duan ta lëshojnë këtë vend”.

 

Qeveria e Kosovës tash e disa muaj ka krijuar platformën “Super Puna” që nënkupton një pagesë të garantuar prej shtetit 264 euro bruto për 6 muaj, ku kompanitë hapin shpalljet dhe të rinjtë aplikojnë.

 

Për këtë çështje, ministri i Financave, Hekuran Murati ka bërë të ditur se për muajin mars janë gati dy mijë të punësuar në “Super Puna”, gjersa për punësimin e të cilëve tashmë është proceduar subvencioni.

 

“Për muajin mars, janë gati 2 mijë të punësuar e të validuar në “Super Puna”, për punësimin e të cilëve tashmë është proceduar subvencioni. Një fakt interesant e që na bën të krenohemi është edhe përbërja gjinore e të punësuarve – mbi 51% janë vajza. Pra, përveç adresimit të problemit të punësimit të të rinjve në përgjithësi, platforma “Super Puna” po ndihmon edhe në rritjen e punësimit për vajzat e gratë në veçanti”.

 

Kosova, ndër vite, ka pasur shkallë të lartë të papunësisë. Në të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të cilat mbulojnë tremujorin e parë të vitit 2022, papunësia llogaritet të jetë 16.6 për qind.

 

Më e larta është shifra e qytetarëve ekonomikisht joaktivë. Sipas ASK-së, këta persona nuk janë të punësuar, as të regjistruar si të papunë, as nuk kërkojnë punë.

 

Kosova me mbi 1.7 milion banorë, ka 15 skema sociale e pensionale. Në mesin e tyre hyn edhe asistenca sociale për familjet e varfra./Monitor