Zëvendëskryeministrja njëherësh dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e vlerësoi investimin për projektin “Auto Moto Park Albania”, në Elbasan një vepër që do të incentivojë edhe më shumë turizmin në Shqipëri.

 

Duke marrë fjalën në takimin që u zhvillua sot në Konkursin Ndërkombëtar për Projektin “Auto Moto Park Albania”, në Elbasan, Balluku tha se” qeveria ka nisur që nga viti 2019 një punë intensive për zhvillimin e infrastrukturës së vendit në të gjitha drejtimet në rrugë, porte, aeroporte që sot janë punë të kryera dhe vepra të prekshme”.

 

Balluku u ndal edhe në transformimin rrënjësor që ka pësuar DPSHTRR-ja, si në infrastrukturë dhe ofrimin e shërbimeve me standardet më të mira duke eliminuar burokracitë dhe rritur sigurinë në qarkullimin rrugor.

 

Sipas saj, sot janë bërë shumë ndryshime pozitive në të gjithë sektorin e DPSHTRR-së, teksa e cilësoi edhe këtë projekt të ri për “Auto Moto Park Albania”, pjesë të strategjisë që i shërben zhvillimit ekonomik, social dhe turizmit të vendit.

 

“Ka ardhur koha kur Shqipëria ka investuar fuqishëm në infrastrukturë, si kolona kryesore e turizmit dhe “Auto Moto Park Albania” është pjesë e këtij kolazhi investimesh që i shërben turizmit”, u shpreh Balluku.

 

Shumë turistë që vizitojnë Shqipërinë, tashmë do të kenë edhe një investim të ri vlerë të shtuar për të vizituar. NË 3.8 km pistë ky projekt do të jetë një kompleks ku do të zhvillohen aktivitete nga më të ndryshmet. Ekspozita “Retro” që do të hapet aty, do të jetë një aset me shumë interes, ndërsa do të ketë një holl për evente jo vetëm për automotizëm.

 

“Për të gjithë skeptikët kjo nuk është një pistë, por një investim që do të incentivojë turizmin. Ky është elemtent i rëndësishëm i automotorizmit”, tha ajo./ATSH