Duke kritikuar mbylljen e disa konsullatave të vendeve perëndimore në Istanbul, ministri i Punëve të Jashtme i Türkiyes, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se kjo lëvizje është e "qëllimshme" dhe se vendet e përfshira nuk kanë ndarë asnjë informacion në lidhje me ato që ata i quajtën "arsye të sigurisë"

 

"Ne mendojmë se kjo është e qëllimshme. Kjo është pikërisht ajo që ne thamë kur thirrëm ambasadorët në ministri", tha Çavuşoğlu në një konferencë të përbashkët për media në Istanbul me homologun e tij argjentinas, Santiago Cafiero.

 

Komentet e ministrit Çavuşoğlu erdhën një ditë pasi Türkiye thirri ambasadorët e vendeve perëndimore, përfshirë ambasadorin e SHBA-së, për të kritikuar vendimin e tyre për mbylljen e përkohshme të misioneve diplomatike dhe për t’u dhënë alarmet e sigurisë pas djegieve të fundit të Kuranit në Evropë.

 

Sipas burimeve diplomatike turke, në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Ankara u thirrën ambasadorët e Belgjikës, Francës, Gjermanisë, Italisë, Holandës, Suedisë, Zvicrës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Burimi tha se akte të tilla të njëkohshme nuk tregojnë një qasje proporcionale dhe të matur, por në vend të kësaj i shërbejnë vetëm "agjendës tinëzare të grupeve terroriste".

 

"Pse u mbyllën? Ata thonë se ekziston një kërcënim terrorist. Tani, nëse ka një kërcënim terrorist, a nuk duhet të na tregojnë neve nga e ka origjinën ky kërcënim, veçanërisht nëse janë aleatë tanë. Ata na thonë ‘ne kemi informacion konkret, ka një kërcënim, prandaj po mbyllemi’. Nga kush erdhi? Ku? Kush do ta bëjë? Nuk ka asnjë informacion për këtë", u shpreh Çavuşoğlu.

 

"Ata duhet ta ndajnë këtë informacion me ne, domethënë me njësitë tona të sigurisë, me njësitë tona të inteligjencës dhe nëse ekziston një kërcënim i tillë, ai duhet të eliminohet para se të kthehet në sulm", shtoi ai.

 

Siç theksoi ministri turk, "ato vende nuk po ndajnë informacione dhe dokumente konkrete me Türkiye-n".

 

Dje, edhe ministri turk i Punëve të Brendshme, Süleyman Soylu, kritikoi mbylljet duke theksuar se ato erdhën pikërisht kur Türkiye njoftoi shifra që japin shenjë të mirë për turizmin. Ai tha se mbylljet e pashpjegueshme përbëjnë "luftë psikologjike"./AA