Kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë” në zgjedhjet e 14 majit, për kryetar të bashkisë së Tiranës, Belind Këlliçi, takoi qytetarët në zonën e “Tregut Çam” dhe u prezantoi programin dhe 5 pikat që sjellin ndryshimin në Tiranë.

 

Këlliçi gjithashtu, denoncoi ndërtimin e 7 kateve pa leje të kullës “Eyes of Tirana”.

 

Sipas Belind Këlliçit, ky objekt është përballë zyrës së Erion Veliajt, por kryebashkiaku aktual i Tiranës ka lejuar paligjshmërinë.

 

“Shikoje këtë që nuk e kishte parë Erion Veliaj, 7 kate pa leje! Se nuk ka lënë ndërkohë, nuk ka lënë kotec pule në katund pa u vënë gjobë, nuk ka lënë avlli e çati pa prishur edhe këtë këtu nuk e ka parë. Shihe këtë, shihe ku e ka zyrën, e ka zyrën ballë për ballë, shihe pak, 100 metra distancë nuk e ka parë, e ka nga zyra. Nuk e pashë tha!. Po sikur të mos mjaftojë kjo, Erion Veliaj ka dhënë leje për ndërtimin e pjesës tjetër të kullës, në truallin ku aktualisht ndodhet “Qendra Rinore”, u shpreh ai.

 

“Kjo është Qendra Rinore aty, që është mbyllur. E vetmja qendër rinore në Tiranë, e mbylli zotëria, do ta shembi këtë këtu për ta bërë kullë. Ndërkohë, ka ngritur 7 kate pa leje lart, minimalisht duhet të merrte masa administrative bashkia e Tiranës, duhet t’i pezullonte licencën e të gjitha, gjobë e të gjitha. Çfarë ka ndodhur, kaluan tre muaj dhe tani do i japë dhe këtë truallin tjetër për të bërë kullë aty për të vazhduar kullë tjetër”, tha Këlliçi.

 

Sipas tij, ky është modeli dhe standardi i dyfishtë i bashkisë së Tiranës, e cila në qendër lejon betonizimin, ndërsa në zonat rurale banorët nuk lejohen as të bëjnë rregullime avllie pa marrë leje në bashki.

 

Po në këtë zonë, Këlliçi tregoi edhe disa pallate të vjetra, banorët e të cilëve sipas tij, tashmë jetojnë me frikën se bashkia do t’i shembë, për shkak të vjetërsisë së tyre.

 

Këlliçi u shpreh se, tashmë e kanë në dorë qytetarët e Tiranës për të vendosur nëse do të lejohet ajo që parashikon qeveria dhe bashkia për pronat e qytetarëve, apo do të zgjedhin ndryshimin.