Kërkesat për ndërtimin e impianteve fotovoltaikë morën hov në dy vitet e fundit dhe një prej arsyeve ishte kriza e energjisë e cila ende vijon të shihet si një kërcënim global.

 

Qysh nga miratimi i ligjit për burimet e rinovueshme të energjisë avancimi i fotovoltaikëve ka qenë i ngadaltë sa i takon kapacitetit konkret të instaluar por tashmë disa projekte të mëdha kanë marrë miratimet dhe ndodhen në faza të ndryshme institucionale dhe disa prej tyre edhe në zbatim.

 

Shpejtimi i ritmit për fotovoltaikët duket qartë vitin e shkuar dhe për këtë mjafton të shohësh listën e subjekteve që kanë arritur të marrin një licencë prodhimi nga Enti Rregullator i Energjisë pas aplikimit pranë tij.

 

Gjatë vitit 2022 ERE licencoi 15 subjekteve në prodhimin e energjisë nga fotovoltaikët me një kapacitet të instaluar prej 227 MË. Në 2018 dhe 2019 së bashku ishin 22 MW të instaluar dhe 10 licenca aktive.

 

Gjatë vitit 2022 bien në sy licenca dhënë për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare e cila futi në prodhim centralin mbi digën e Qyrsaqit në Vaun e Dejës. Kapaciteti i këtij centrali ishte 5.1 MW.

 

Po kështu një tjetër licencë e dhënë ishte ajo për Karavasta Solar që ka si kompani mëmë Voltalia-n dhe që po ndërton centralin fotovolatik në zonën e Remasit-Karavasta pas ankandit që fitoi prej qeverisë shqiptare. Kapaciteti i instaluar i këtij impianti është 140 MW. Punimet për këtë park nisën në verën e vitit të shkuar dhe pritet që të përfundojnë këtë vit.

 

Parku do të prodhojë energji ku 70 MWh do t’i jepet shtetit shqiptar me një çmim prej 24.89 euro/MWH për 15 vite ndërsa pjesa tjetër do të shitet në treg të lirë. Voltalia ka fituar të drejtën edhe për parkun e Spitalles por avancimi i saj është më i ngadaltë dhe ende nuk ka arritur të licencohet nw prodhim dhe as të nisë zbatimin.

 

Një tjetër central me kapacitet të konsiderueshëm është ai Blue 1 prej 50 MW në Sheq Marinas. Centralet e tjerë të licencuar nga Enti janë me kapacitet më të ulët kryesisht 2 MË që nuk janë koncesione tipike të shpërndarë në të gjithë vendin.

 

Kriza e energjisë e ekspozoi vendin tonë gjatë vitit të shkuar ndaj importeve të larta që kapën vlerën 450 milionë dollar. Pikërisht kjo krizë vuri theksin tek diversifikimi dhe përshpejtimi duke integruar energjinë diellore përpos asaj hidrike nga e cila jemi të varur tërësisht.

 

Aktualisht ligji për burimet e rinovuershme ku përfshihet edhe energjia diellore po kalon në rishikim duke sjellë korrigjime dhe duke reflektuar edhe disa kërkesa të autoprodhuesve për bilancin vjetor neto./Monitor