Sipas UNESCO-s, Dita Ndërkombëtare e Dritës festohet çdo vit më 16 maj, në përvjetorin e funksionimit të parë me sukses të lazerit, në vitin 1960, nga fizikani dhe inxhinieri, Theodore Maiman.

 

Kjo ditë është një thirrje për të forcuar bashkëpunimin shkencor dhe për të shfrytëzuar potencialin e tij për të nxitur paqen dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

 

Studimi i dritës ka çuar në burime alternative të energjisë, përparime në fushën e mjekësisë që shpëtojnë jetë. Ka sjellë gjithashtu zhvillime në teknologji dhe trajtimet diagnostikuese, internetin me shpejtësi të dritës dhe shumë zbulime të tjera që kanë revolucionarizuar shoqërinë dhe kanë formësuar të kuptuarit tonë për universin.

 

Këto teknologji u zhvilluan përmes shekujve të kërkimit themelor mbi vetitë e dritës, duke filluar me veprën e Ibn Al-Haytham, “Libri i Optikës”, botuar në 1015 dhe duke përfshirë punën e Ajnshtajnit në fillim të shekullit të 20-të, e cila ndryshoi mënyrën se si mendojmë për kohën dhe dritën.