Puna me orar të zgjatur është ndër faktorët alarmues që rrit ndjeshëm rrezikun e një personi për tu futur në depresion. Pavarësisht se sa e doni punën që bëni apo sa stresuese ose jo është ajo.

 

 

Të jetuarit në epokën kur gjithçka zhvillohet shumë shpejt dhe termi “burn-out” apo konsumimi nga puna po shndërrohet në normë – të cilën shumica e paguajnë me pasoja në shëndet mendor.

 

Një studim i cili ka përfshirë mbi 2 mijë punonjës për gjashtë vjet ka nxjerrë në përfundim se punonjësit që punonin mesatarisht të paktën 11 orë në ditë në zyrë kishin afërsisht dy herë e gjysmë shanse më të larta për të zhvilluar depresion sesa kolegët e tyre që kanë mbaruar punën pas shtatë ose tetë orësh.

 

 

Lidhja midis ditëve të gjata të punës dhe depresionit vazhdoi edhe pasi studiuesit morën parasysh faktorë të tillë si tendosja e punës, niveli i përkrahjes në vendin e punës, përdorimi i alkoolit, pirja e duhanit dhe sëmundjet kronike fizike.

 

Punonjësit e rinj ata me një përvojë të konsiduereshme të cilët janë të mbingarkuar duket se janë më të prirur ndaj depresionit sesa njerëzit që tashmë janë kalitur me punën dhe kanë përvojë. Kohëzgjatja e ditës së punës nuk pati një ndikim të dukshëm në shëndetin mendor të punonjësve të nivelit të lartë, me pagë më të lartë, si menaxherët, udhëheqësit e ekipeve.

 

Kjo ka të ngjarë për shkak të sasisë së kontrollit që njerëzit me pozita udhëheqëse kanë mbi punën e tyre, thotë Alan Gelenberg – kryetar i departamentit të psikiatrisë në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë.

 

“Ne kemi më shumë kontroll mbi atë që punojmë; ne mund të zgjedhim gjërat argëtuese”, thotë Gelenberg, i cili nuk ishte i përfshirë në studim. “Unë bëj kryesisht atë që dua të bëj dhe kur kaloj një javë më të vështirë, është zgjedhja ime”, ka thënë ai duke iu referuar edhe vetes.

 

Për ata që janë në pozita më poshtë, studiuesit thonë se orët e gjata në zyrë mund të kontribuojnë në depresion në disa mënyra. Kjo manifestohet duke krijuar konflikte familjare ose në përkeqësim të marrëdhënieve më të tjerët.

 

Pasiguria në punë dhe shmangia e gjumit gjithashtu ndikojnë në rritjen e rrezikut të depresionit. Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se gjumi i dobët është një përbërës kyç në depresionin e lidhur me punën.

 

Studimet e fundit mbi punën jashtë orarit dhe depresionin kanë raportuar rezultate të ngjashme, por shumica kanë përdorur një standard më pak rigoroz për matjen e depresionit.

 

Si të qëndroni i lumtur dhe i shëndetshëm?

 

Pyetja e parë që duhet shtrohet në këtë temë është se “Çfarë ndodh kur punoni vazhdimisht me orar të zgjatur?”.

 

Përgjigja është se mund të mos keni kohë për të ngrënë mirë, mund të mos ushtroni mjaftueshëm (ose fare) dhe mund të mos flini sa duhet. Shtojini kësaj stresin dhe tensionin shtesë që mund të përjetoni dhe mund të shihni se puna me orë të gjata mund të dëmtojë shëndetin tuaj, si dhe performancën dhe produktivitetin tuaj.

 

Lajmi i mirë është se ju mund të punoni më shumë orë dhe të mbani një mënyrë jetese të shëndetshme. AkademiPune ju përcjell disa strategji që do të ndihmojnë:

 

Praktikoni ushtrime

 

Bëni mjaftueshëm ushtrime – Ushtrimet e rregullta reduktojnë stresin, përmirësojnë shëndetin tuaj dhe nivelet e energjisë, rrisin vetëbesimin dhe imazhin tuaj dhe madje mund të rrisin IQ-në tuaj. Mendoni për stërvitjen si një investim në veten tuaj dhe në karrierën tuaj.

 

Bëni pushime të rregullta – Largohuni nga tavolina juaj dhe bëni një shëtitje të shkurtër çdo 60 deri në 90 minuta. Kjo do t’ju ndihmojë të relaksoheni. Nëse është praktike, merrni parasysh të bëni një sy gjumë të shkurtër kur ndiheni të lodhur, për shembull, në një karrige të rehatshme ose në makinë. (Kërkimet tregojnë se kjo mund të rrisë performancën në afat të shkurtër dhe mund të ketë një efekt pozitiv në shëndetin tuaj afatgjatë).

 

Pini shumë ujë – Dehidratimi e bën më të vështirë përqendrimin dhe mund t’ju bëjë të ndiheni fizikisht të lodhur dhe ta papërqendruar. Mbani një shishe me ujë në tavolinën tuaj të punës – si një rikujtim për të pirë ujë. Gjithashtu, shmangni shumë kafeinë. Asnjëherë nuk është ide e mirë ta teproni.

 

Hani shëndetshëm – Hani vakte të shëndetshme gjatë ditës tuaj të punës dhe mbani me vete bajame ose fruta. Ato mund t’i hani kurdo që ndiheni të uritur. Gjithashtu, shmangni ushqimet e shpejta dhe ushqimet e yndyrshme nëse është e mundur. Ushqimi i pashëndetshëm mund të jetë joshës nëse jeni duke punuar vonë ose duke marrë një klient për darkë, kështu që zhvilloni shprehi që do t’ju ndihmojnë të bëni zgjedhjet e duhura, për aq sa mundeni.

 

Si ta rritni produktivitetin dhe ta menaxhoni kohën tuaj?

 

Një nga arsyet kryesore që njerëzit punojnë me orar të zgjatur është sepse mundohen që të kryejnë më shumë punë. Prandaj, është e rëndësishme të siguroheni që të jeni sa më produktiv gjatë gjithë kohës në punë. Në këtë mënyrë, ju do të arrini më shumë dhe do të arrini t’i kryeni të gjitha punët me kohë.

 

Megjithëse mbajtja e një stili jetese të shëndetshëm do t’ju ndihmojë të jeni më produktivë, ka disa strategji të tjera që mund të përdorni:

 

Vlerësoni se si e përdorni kohën tuaj – Mbani një regjistër aktivitetesh, më pas analizoni atë për të gjetur se sa kohë shpenzoni në detyra specifike. Kjo do t’ju ndihmojë të minimizoni ose eliminoni aktivitetet me më pak rëndësi dhe tu kushtoni më shumë rëndësi atyre që kanë më shumë vlerë.

 

Organizohuni – Mënyra se si e organizoni veten luan një rol të rëndësishëm në atë se sa do të arrini gjatë ditës. Do t’ju duhet të investoni disa orë përpara për t’u organizuar, por kjo do të shpërblehet shpejt.

 

Përmirësoni përqendrimin dhe fokusin tuaj – Aftësia për t’u përqendruar është thelbësore kur jeni duke punuar me orar të zgjatur. Shqetësimet vetëm sa do të rrisin kohën që kaloni në zyrë. Bëni atë që mundeni për të minimizuar shpërqendrimet: mos u fokusoni në rrjete sociale, mbyllni derën e zyrës dhe madje fikni telefonin. Sa më i përqendruar të jeni, aq më shpejt mund të kaloni në punë tjetër – ose të shkoni në shtëpi me kohë. Nëse lexoni shumë si pjesë e punës suaj, përdorni strategji të përshtatshme leximi, në mënyrë që ta përdorni këtë kohë në mënyrë më efikase.

 

Shmangni shumë detyra – në vend të kësaj, bëni një detyrë ose projekt në një kohë. Përqendrohuni plotësisht në atë që po bëni dhe kurdo që të mundeni përfundoni tërësisht një detyrë para se të kaloni në diçka tjetër.