Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali, njëkohësisht deputete e qarkut Shkodër reagoi sot mbi lajmet për dëmtimin e mbikalimit të Bahçallëkut në këtë qytet.

 

“Rrjetet sociale na kanë kthyer në ‘gjykatës tastierash’ pa pasur nevojë as për prokurori as për polici. Mbikalimi i thyer dhe dukshëm i dëmtuar nga goditja dhe kamioni me vinçin e ngarkuar sipër, i parkuar aty pranë dhe që i mungonin veç dritat fluoreshente për të treguar që ishte shkaktari, janë dëshmia që njerëzit preferojnë të mbyllin sytë para të vërtetës dhe të helmojnë shpirtin e tyre dhe opinionin publik me të pavërteta”, tha Bilali në një reagim në rrjetet sociale.

 

Sipas saj, “kundërshtarët politikë janë aq të pasigurt në vete sa zbarkuan në rrjete sociale për të dhënë versione njëri më qesharak se tjetri, si e si për të lëshuar një grusht baltë, ku faktet ia kanë kthyer sistematikisht mbrapsht, ashtu sikurse ndodhi edhe në këtë rast”.

 

“Portalet, për hir të nxitimit për të publikuar lajme sa më shpejt, nuk janë më vetëm pasqyruese faktesh, por edhe ngritëse hipotezash e teorish konspirative. Në kohët e sotme, solidariteti është privat e linçimi është publik. Mora po aq telefonata e mesazhe sa tek letra e rreme e dorëheqjes (që janë shumë më shumë sesa komentet keqdashëse). Kinematografia do të na kishte zili nga hipotezat diametralisht të kundërta që nisin nga ‘ra mbikalimi vetë’ në ‘e përplasën qëllimisht për t’ia hequr veprën Ministres'”, shtoi ajo.

 

Bilali sqaroi se “mbikalimi ishte një ndërhyrje mirëmbajtjeje dhe rinovimi estetik me motiv sixhaden e Shkodrës që i ka kushtuar shkodranëve e shqiptarëve 0 lekë nga taksat, pasi ka qenë një projekt në kuadër të sloganit ‘tanë bashkë’, ku biznesi, komuniteti, rinia dhe institucionet publike përgjegjëse u bënë bashkë për ta rijetësuar hyrjen e qytetit deri në momentin që projekti i madh i transformimit të hyrjes së Shkodrës të merrte jetë”.

 

Ministrja shpreh keqardhjen që ndodhi sepse siç tha ajo, “kishim investuar shumë kohë e pasion në këtë projekt, por shumë e lehtësuar që ishte me aq e nuk është lënduar askush”.