Ish-kryeministri, Sali Berisha, ka vijuar edhe këtë të mërkurë, akuzat ndaj kryeministrit Rama se ka ndikuar te vota e qytetarëve shqiptarë përmes disa veprimeve të kryera.

 

Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se qeveria pak para zgjedhjeve futi në skemën e pensioneve pa kontributeve shoqërore mbi 13 mijë qytetarë, ndërsa disbursoi 400 mln lekë për individë me aftësi ndryshe. Më tej, ish-kryeministri theksoi se 4 muaj para zgjedhjeve u bënë nga qeveria dhe bashkitë qindra tendera me 6 mld lekë dhe u dhanë investime strategjike.

 

“13 mijë qytetarë u futën në skemën e pensioneve pa kontribute shoqërore. Mbi 20 mijë qytetarë u shtuan në listën e ndihmës ekonomike, dhe mbi 10 mijë të tjerë u paguan pa kontratë. 400 mln lekë për individë me aftësi ndryshe u disbursuan. 900 mln lekë më shumë se vjet për pagesat e personave me aftësi ndryshe. 4 muaj para zgjedhjeve u bënë nga qeveria dhe bashkitë qindra tendera me 6 mld lekë dhe u dhanë investime strategjike. Mbi 4 mld lekë u tenderuan si fonde për rindërtim banesash nga tërmeti.

 

Po në këtë kuadër, u konstatua qindra raste asfaltimi në rrugë fshati, e duke kulmuar në Tiranë. Të gjitha këto u bënë me qëllim ndikimin e votës dhe krijimin e fondeve shtesë për blerjen e votave. Të gjitha këto shuma të shpërndara për të blerë votën janë vetëm maja e ajsbergut, e shumës së shpërndarë nën dorë në tregun e zi të votës me destinacion direkt: blerjen e të drejtës së votës; blerje direkte të votës. Nga 300 deri në 500 euro për një votë. Në total shuma që u përdor për të blerë votën, është vështrirë të gjendet, por euro në Shqipëri gjatë fushatës arrit në nivele këmbimi me lekun në rekorde të ulta”, tha Berisha.