Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (një metodologji e Eurostat për inflacionin) në muajin prill 2023 në Shqipëri ishte 5,0%.

 

 

 

Ky rezultat ishte më i lartë se matjet kombëtare, ku inflacioni në prill ishte 4.6%.

 

Sipas metodologjisë së Eurostat rritja më e madhe e çmimeve në prill prej 9,4% vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 6,7%, “Veshje dhe këpucë”, “Argëtim dhe kulturë” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 4,0% secili, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 3,9% secili, “Shëndeti” me 2,5%, “Shërbimi arsimor” me 2,4%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,7% dhe “Komunikimi” me 1,1%.

 

Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 3,9%. Në muajin Prill 2023, ndryshimi mujor i matur nga indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,2%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,9%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,7%, “Argëtim dhe kulturë” me 0,6%, “Pije alkoolike dhe duhan”, “Shëndeti” dhe “Shërbimi arsimor” me 0,3% secili, “Komunikimi” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,2% secili, “Veshje dhe këpucë” dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,1% secili. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 0,6%.

 

Në prill 2023 inflacioni në rang europian pësoi rritjen më të lartë në Hungari me mbi 24%, Me Letoni me 151% dhe në Çeki me rreth 14%.

 

Në krahun tjetër çmimet u rriten me ritme më të ulëta në Zvicër me pak mbi 2%, Luksemburg, Spanjë, ku çmimet janë rritur me pak se 4%.

 

Indeksi i Çmimeve të Konsumit (IÇK) dhe indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) janë hartuar për të matur ndryshimin e nivelit mesatar të çmimeve të paguara për konsumin e mallrave dhe shërbimeve nga të gjithë familjet private, kolektive dhe shpenzimet e turistëve në Shqipëri.

 

Si IÇK dhe IHÇK përdoren si matës të inflacionit të konsumit. Qëllimi i të dy treguesve është të matin ndryshimin në nivelin mesatar të çmimeve të një shporte fikse mallrash dhe shërbimesh të konsumit.

 

Sistemi i klasifikimit IÇK dhe IHÇK përdorin të njëjtin klasifikim të mallrave dhe shërbimeve.

 

 

Të dhënat e çmimeve IÇK dhe IHÇK llogariten bazuar në çmimet e mbledhura në të njëjtat njësi tregtare, përdorin të njëjtën klasifikim të produkteve dhe ndajnë të njëjtën metodologji të hartimit të indeksit.

 

IÇK është matësi zyrtar i inflacionit në Shqipëri, ndërsa IHÇK përdoret për monitorimin e lëvizjes së çmimeve me pakicë në vendet Evropiane, duke krahasuar përqindjen e inflacionit ndërmjet vendeve./Monitor/