Türkiye ka mbështetur fuqishëm një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC) për ankorimin e shkatërruesit amerikan USS Arleigh Burke në një port të Qipros greke.

 

"Siç e kemi theksuar në mënyrë të përsëritur së bashku me TRNC-në, hapat e ndërmarrë në rajon nga SHBA, të cilat prishin ekuilibrin në kurriz të palës qipriote turke, dëmtojnë pozicionin neutral të këtij vendi në lidhje me ishullin dhe përbëjnë një pengesë për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme të çështjes së Qipros", tha Ministria e Jashtme turke në një deklaratë.

 

Ministria i kërkoi SHBA-së të rishqyrtojë këto politika.

 

Në deklaratë përsëritet vendosmëria e Türkiye-s, si një shtet garantues në ishull, për të mbrojtur të drejtat dhe interesat legjitime të turqve qipriotë në të gjitha rrethanat dhe kushtet.

 

- Mosmarrëveshja që zgjat me dekada

 

Qiproja është zhytur në një mosmarrëveshje që zgjat me dekada midis qipriotëve grekë dhe qipriotëve turq, përkundër disa përpjekjeve diplomatike nga OKB për të arritur një zgjidhje gjithëpërfshirëse.

 

Sulmet etnike që filluan në fillim të viteve 1960 i detyruan qipriotët turq të tërhiqen në enklava për sigurinë e tyre.

 

Në vitin 1974, një grusht shteti i realizuar nga grekët qipriotë që synonte aneksimin e ishullit nga Greqia, çoi në ndërhyrjen ushtarake të Türkiye-s si një fuqi garantuese për të mbrojtur turqit qipriotë nga persekutimi dhe dhuna. Si rezultat, TRNC u themelua në vitin 1983.

 

Përpjekjen për një proces paqësor të qëndrueshëm kanë dështuar, duke përfshirë edhe iniciativën e vitit 2017 në Zvicër nën kujdesin e vendeve garantuese Türkiye, Greqia dhe Mbretëria e Bashkuar.

 

Administrata qipriote greke u pranua në Bashkimin Evropian në vitin 2004, në të njëjtin vit që grekët qipriotë penguan një plan të OKB-së për t'i dhënë fund mosmarrëveshjes shumëdekadëshe./AA