Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se “në Kuvend miratuam dy marrëveshje të rëndësishme, e para lidhet me një investim të rëndësishëm në Shkodër, që i jep asaj një qasje dhe një afrim historik me një qytet tjetër tepër të bukur që është Ulqini si dhe një marrëveshje tjetër me KFW, që rrit investimet në infrastrukturë në të gjitha qarqet e vendit”.

 

Në një prononcim për mediet pas seancës së Kuvendit, Balla tha se “Ura e Bunës do t’i japë një mundësi të re turizmit, sepse duke krijuar një akses shumë të shpejtë e të shkurtër për të gjithë turistët, që vizitojnë bregdetin e Ulqinit, apo Budvën të kenë edhe një rrugë për të ardhur e shfrytëzuar turizmin në Shkodër dhe pjesën tjetër të Shqipërisë”.

 

“Ajo që na kanë besuar qytetarët në 14 maj më shumë se një inkurajim është edhe një përgjegjësi e madhe për të vijuar punët e mëdha që kemi përpara. Edhe ju jeni surprizuar nga reagimet e deputetëve të opozitës. Mendoj që koha kur në Shqipëri humbësi e sheh fajin tek ai që ka fituar dhe nuk e shikon tek vetja nuk ka dhënë rezultat. Secili duhet ta shohë përgjegjësinë vetë. Edhe ne do duhet që të bëjmë një analizë të mirë të rezultatit për të kuptuar se ku duhet të përmirësojë punën”, nënvizoi Balla.

 

I pyetur nga gazetarët nëse është takuar me Lulzim Bashën në dhjetor të vitit 2022, Balla tha se “jo nuk e kam takuar. Unë kam qëlluar në të njëjtin ashensor edhe me Sali Berishën. Tani pyes, i bie që të kem takuar edhe atë? Nuk e kam takuar as atë”.

 

Ndërsa lidhur me procesin zgjedhor të 14 majit, Balla tha se “zgjedhjet e 14 majit janë zgjedhjet ku në asnjë procesverbal të asnjë qendër votimi nuk ka pasur asnjë vërejtje nga asnjë subjekt politik”.

 

“Kodi Zgjedhor ka përcaktuar mënyrën si bëhen vërejtjet në procesin zgjedhor. Subjektet politike kanë përfaqësuesit e tyre në komisione dhe në vëzhgues. Në asnjë raport në asnjë proces verbal në 5200 qendra votimi nuk ka asnjë vërejtje nga asnjë palë. Kjo i bën zgjedhjet e vitit 2023, zgjedhjet më të mira dhe më të gjithëpranuara nga të gjitha palët.

Vërejtjet dhe kontestimet bëhen në dokumentacionin zgjedhor përcaktuar si procesverbal. Nuk ka asnjë vërejtje nga asnjë komisioner dhe asnjë vëzhgues”, tha Balla.