Tregu i pensioneve private vullnetare vijoi trendin rritës përgjatë 3-mujorit të parë të këtij viti.

 

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se numri i anëtarëve në fondet e pensioneve,në fund të marsit shkoi 37 060 anëtarë duke shënuar një rritje prej 1.48 % krahasuar me fundin e dhjetorit 2022.

 

Analiza e të dhënave për tregun e pensioneve private vullnetare në 31.03.2023 tregon një total asetesh neto prej 5.9 miliardë lekë dhe me një rritje prej 265.98 milionë lekë (4.67 %) krahasuar me 31.12.2022.

 

Gjatë periudhës janar-mars 2023, në tregun e pensioneve private vullnetare ushtruan aktivitetin e tyre pesë fonde pensioni.

 

Me qëllim përafrimin me Direktivën Evropiane IORP II, standardet më të mira ndërkombëtare, si dhe përmirësimin e bazës ligjore që rregullon tregun e fondeve të pensionit privat, Autoriteti I Mbikëqyrjes Financiare ka hartuar projektligjin “Për fondet e pensionit privat”.

 

Projektligji synon të sjellë zhvillimin e tregut të fondeve të pensionit privat nëpërmjet rritjes së pjesëmarrjes në skemë; sigurimin e një pensioni shtesë, i cili plotëson pensionin bazë të siguruar nëpërmjet skemës publike të pensioneve; vendime të mirinformuara të individëve lidhur me mbledhjen e kursimeve të tyre për pension; mundësi të reja për punëdhënësit lidhur me krijimin e skemave private për punonjësit e tyre; rritjen e cilësisë së produktit dhe shërbimit ndaj klientit nëpërmjet miradministrimit të fondeve të pensionit privat nga ana e shoqërive administruese; nxitjen e konkurrencës në shërbim të interesit më të mirë për anëtarët e fondit.

 

Ligji në fuqi nuk krijon elemente konkurruese që lidhen me negocimin e tarifave të administrimit apo politikave të investimit. Ky problem adresohet në projektligjin e propozuar nëpërmjet krijimit të fondit me pjesëmarrje të mbyllur, ku punëdhënësit mund të negociojnë disa prej elementeve të kontratës me shoqëritë administruese (tarifa administrimi, politika investimi etj.).

 

Në këtë mënyrë, punëdhënësit janë më të prirur për të krijuar skema private për punonjësit e tyre, duke çuar në rritjen e pjesëmarrjes në fondet private të pensionit.