Në ceremoninë e “Defender Europe 23”, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi shprehet se synimi i Shqipërisë është të tregojë se është në gjendje të përballojë çdo situatë që mund të krijohet në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes duke përmbushur çdo detyrë dhe angazhim që i takon.

 

 

Gjithashtu ai ka dhënë edhe një mesazh për të gjithë forcat e armatosura që kanë ardhur në Shqipëri që ta shijojnë qëndrimin dhe të rikthehen sërish!

 

““Defender 2023 Europe” rikonfirmon bashkëpunimin e ngushtë që Shqipëria ka me SHBA në vazhdën e një partneriteti të fortë strategjik në fushën e sigurisë dhe mbrojtës për të cilën ne jemi thellësisht mirënjohës. Forcat e armatosura e Republikës së Shqipërisë janë pjesë e rëndësishme e kësaj strategjie dhe po përfaqësohen denjësisht duke treguar një profesionalizëm të lartë.

 

 

Synimi ynë është të tregojmë se jemi në gjendje të përballojmë çdo situatë që mund të krijohet në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes duke përmbushur çdo detyrë dhe angazhim që na takon si vend i NATO-s. Sigurisht që një synim tjetër madhor është të sigurojmë qytetarët tanë se forcat e armatosura të Republikës së Shqipërisë janë gati të përmbushin detyrat e tyre bazë atë të mbrojtjes së kufijve të atdheut.

 

Një rëndësi madhore ka kjo stërvitje për të përcjellë mesazhin se vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten të palëkundura në orientimin e tyre drejt vlerave euroatlantike. Nuk ka asnjë dyshim që popujt e Ballkanit prej dekadash aspirojnë të bëhen popuj të denjë të Europës së bashkuar.

 

Kam një mesazh për të gjitha forcat e personelit të armatosura të vendeve mike, partnere dhe aleate të cilët do të qëndrojnë në territorin shqiptar gjatë “Defender 2023”. Ndihuni si në vendin tuaj, shijoni mikpritjen shqiptare dhe rikthehuni sërish në vendin tonë të bekuar”, u shpreh Niko Peleshi.