Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi sot në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr.96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë””, të ndryshuar.

 

Zv.ministri i Drejtësisë, Klajdi Karameta tha se, “projektligji ka si qëllim zbatimin e

vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që dikton edhe ndërmarrjen e nismës për ndryshimin e ligjit “Për pagat, strukturat dhe shpërblimet e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura të krijuara me ligj”, të ndryshuar”.

 

“Në kushtet kur referimi i pagës së magjistratit në pagën e nëpunësve civil ka sjellë

probleme me zbatimin në praktikë të saj, Gjykata Kushtetuese është shprehur se, paga për magjistratët t’i referohet sistemit të pagës për funksionarët e lartë shtetërorë, që përcaktohet në raport me pagën e Presidentit”, tha Karameta.

 

“Kjo nismë, tha ai, vjen bashkërisht me propozimin për ndryshime të ligjit nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, strukturat dhe shpërblimet e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura të krijuara me ligj”, të ndryshuar, ku parashikohet që paga e Presidentit të Republikës të jetë në masën 425000 lek në muaj. Në këto kushte, paga e magjistratit, do të jetë e barabartë me rezultatin që del nga shumëzimi i

koeficientit 0.36 me pagën e re të Presidentit të Republikës, në masën 425 000

lekë në muaj. Paga e referuese do të jetë 153 000 lekë në muaj, e cila është më e lartë se sa paga prej 152 700 lekë, të llogaritur sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese”.

 

“Ky projektligj, parashikon që çdo ndryshim eventual që mund të pësojë parashikimi mbi pagën e Presidentit të Republikës të shoqërohet me ndryshimin e koeficientit të parashikuar në këtë projektligj. Kjo me qëllim që, nëse do të ketë ndryshime në pagën e Presidentit, formula e llogaritjes së pagës së magjistratit të garantojë paprekshmërinë e pagës së këtij të fundit”, u shpreh Karameta.