Presidenti Recep Tayyip Erdoğan mori pjesë në Mbledhjen e Madhe të Rumelisë në Qendrën e Kongreseve Haliç.

Presidenti Erdoğan, i ka bërë thirrje SHBA-së të gjejnë “terroristin” që sulmoi Shtëpinë Turke në New York dhe “të bëjnë atë që është e nevojshme”.

 

“Në Evropë (grupi terrorist) PKK-ja ka parë që gjërat po përkeqësohen, ata kanë filluar të sulmojnë votuesit. Për më tepër, ata kanë sulmuar Shtëpinë Turke në Amerikë, pikërisht përballë OKB-së në ShBA dhe thyen xhamat. Tani, a nuk do t’u themi autoriteteve amerikane dhe forcave të sigurisë se duhet ta gjeni shpejt këtë terrorist dhe duhet ta bëni atë që është e nevojshme”, tha ai.

 

Shtëpia Turke, u është besuar autoriteteve amerikane atje. “Duhet ta gjeni këtë terrorist që theu xhamat e Shtëpisë Turke me levë”, tha presidenti Erdoğan.

 

Në fushatën e saj terroriste mbi 35-vjeçare kundër Türkiyes, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Türkiye, ShBA-ja dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja.

 

Gjithashtu, edhe OKB-ja dënoi sulmin në selinë diplomatike turke në New York dhe bëri thirrje për një hetim.

 

“Ne e dënojmë atë sulm ndaj Shtëpisë Turke në New York dhe shpresojmë shumë që autoritetet lokale të gjejnë përgjegjësit”, tha për Anadolu Stephane Dujarric, zëdhënësi i shefit të OKB-së.

 

Shtëpia Turke në New York u sulmua gjatë natës në orët e para të ditës së sotme. Konsulli i përgjithshëm në New York, Reyhan Özgür, për Anadolu tha se sulmuesi theu xhamat e ndërtesës në orën 03:14 të mëngjesit me orën lokale.

 

Ai njoftoi se askush nuk u lëndua, por 12 dritare dhe dyert e ndërtesës u dëmtuan. Ai tha se sulmuesi, i cili ende nuk është identifikuar, la një levë të vogël në vendngjarje.

 

Departamenti i Policisë në New York ka nisur një hetim për incidentin.

 

Özgür tha se incidenti nuk ka ndikuar në votimin në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të Türkiyes për shtetasit turq në New York, të cilët aktualisht po japin votat e tyre në Shtëpinë Turke.