Një 34-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Durrësit, pasi akuzohet për disa vjedhje. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se si rezultat i operacionit “Eleven”, u vu në pranga shtetasi me inicialet A. T., banues në Durrës, për veprën penale “Vjedhja”.

 

 

NJOFTIMI I POLICISE

Finalizohet operacioni policor i koduar “Eleven”, për zbardhjen e disa vjedhjeve.

 

U vodhi shtetasve të ndryshëm, 11 biçikleta gjatë këtij viti, identifikohet dhe vihet në pranga 34-vjeçari.

 

 

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, nisur nga denoncimet e qytetarëve për disa raste të vjedhjes së biçikletave të tyre, kanë organizuar menjëherë punën në kuadër të operacionit policor të koduar “Eleven”, për identifikimin dhe kapjen e autorit.

 

Si rezultat i këtij operacioni, u vu në pranga shtetasi A. T., 34 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Vjedhja”.

 

Nga veprimet hetimore, rezultoi se 34-vjeçari është autor i 11 vjedhjeve të biçikletave, shtetasve të ndryshëm, vjedhje të kryera gjatë periudhës janar-shkurt 2023. Shtetasi A. T. ua shiste më pas biçikletat e vjedhura, shtetasve të ndryshëm.

 

Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jetë kryer nga ky shtetas.

 

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.