Në mesin e shumë destinacioneve turistike në qytetin e Shkodrës është edhe muzeu historik, i cili si muze qendror i qytetit është jo vetëm një atraksion turistik, por edhe një vend ku ndërthuret trashëgimia kulturore në disa periudha, raporton Anadolu.

Muzeu qendror i Shkodrës është i vendosur në një nga godinat historike dhe karakteristike shkodrane, duke e shndërruar këtë institucion kulturor në një muze unik në qytet, që nga ndërtesa e deri tek objektet e tij.

Muzeu i cili mori formën e tij të plotë në vitin 1949 aktualisht përmban mijëra objekte dhe sende të periudhave të ndryshme historike, ndërsa në vitet fundit shërben edhe si vendi i aktiviteteve kulturore.

Muzeu përbëhet nga seksionet e etnografisë, arkeologjisë dhe bibliotekës, ndërsa një vend të veçantë zënë punimet e artizanatit me objektet origjinale të përdorura nga familjet shkodrane, tashmë të ruajtura në këtë muze.

 

Në muze ekspozohen objekte arkeologjike të periudhave të ndryshme historike, veshje tradicionale, armë, enë bakri dhe tjera të përdorura nga familjet shkodrane, orendi druri, objekte prej guri, instrumente muzikore, libra, fotografi, objekte të jetës së përditshme dhe veglat të punës së artizanëve të përdorua në zonat e Shkodrës.

 

Ajo që e bën të veçantë muzeun është godina e tij e vjetër karakteristike dykatëshe, e cila është ndërtuar gjatë periudhës osmane, në shekullin e XVIII-të, ku brenda saj njihesh me mënyrën e jetesës në zonat e Shkodrës.

E veçanta e godinës së muzeut është se dhomat e saj janë ruajtur në formën e saj origjinale të një banese karakteristike të veriut të Shqipërisë, ku spikat oda e pritjes e mbushur tashmë me objekte të ndryshme historike, sidomos me veshje dhe objekte të artizanatit shkodran.

 

Pjesë e seksionit të etnografisë është edhe xhubleta, veshja karakteristike që përdorej nga gratë në disa zona të veriut të Shqipërisë, që në nëntor të vitit të kaluar u pranua në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e Organizatës të Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO)./AA