Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi sot projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Shqipërisë dhe KfW Frankfurt

am Main (KfW), për programin për menaxhim të qëndrueshëm dhe miqësor me klimën në sektorin e mbetjeve të ngurta”.

 

E ftuar për të relatuar projektligjin në komision ishte zv/ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj.

 

Ajo theksoi se, synimi kryesor i këtij programi është dhënia e kontributit për mirëmenaxhim të qëndrueshëm të integruar të mbetjeve të ngurta.

 

Sipas saj, parashikohet të kryhen ndërhyrje në 5 zona të mbetjeve të ngurta nga 10 të tilla të konstatuara në Republikën e Shqipërisë.

 

“Konkretisht do të ndërhyhet në zonat Dibër, Tiranë-Durrës, Berat, Vlorë dhe në Korçë me qendra të menaxhimit të mbetjeve urbane në landfille, impiantin e ndarjes dhe selektimit të mbetjeve të riciklueshme në 4 nga këto qytete, stacionet e transferimit të mbetjeve për 3 prej tyre në Berat, Dibër, Tiranë-Durrës, rehabilitimit të venddepozitimeve ekzistuese të mbetjeve urbane për 4 qendra dhe landfille për inerte për të pesta zonat e parashikuara”, tha ajo.

 

Muçaj theksoi se, përveç ndërhyrjeve në 5 qendra do të eliminohen edhe 8 venddepozitime të paautorizuara të mbetjeve të ngurta në Republikën e Shqipërisë duke ndihmuar zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, social dhe mjedisor.

 

Sipas saj shuma e financimit është 50 milionë euro dhe ka të përfshirë në të edhe 3 grante, konkretisht 6.9 milionë euro dhe 4.7 milionë euro nga KfW dhe dhe 5 milionë euro që ofrohen nga Programi i Zhvillimit Sektorial në vend.