BE-ja zgjat sanksionet ekonomike kundër Rusisë

0

Bashkimi Evropian zgjati sanksionet ekonomike kundër Rusisë edhe për gjashtë muaj të tjerë.

“Këshilli (i Bashkimit Evropian) vendosi sot të zgjasë masat kufizuese që aktualisht kanë në shënjestër sektorë specifikë ekonomikë të Federatës Ruse me gjashtë muaj, deri më 31 korrik 2022”, njoftoi në një deklaratë institucioni i BE-së që përfaqëson shtetet anëtare.

Krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së kishin miratuar tashmë vazhdimin e sanksioneve gjatë samitit të tyre të fundit në dhjetor për shkak të dështimit në përmbushjen e angazhimeve ndaj Marrëveshjes së Minskut që synon të vendosë paqen në Ukrainën lindore.

Blloku ka vendosur sanksione ndaj sektorëve financiarë, ushtarakë dhe energjetikë të Rusisë që nga viti 2014, duke akuzuar Moskën për aktivitete destabilizuese në Ukrainë.

Sipas kufizimeve, disa banka dhe kompani ruse kanë akses të kufizuar në tregjet e kapitalit të bllokut, ndërsa operatorëve të BE-së u ndalohet të ofrojnë shërbime për institucionet financiare ruse.

BE-ja gjithashtu kufizon tregtinë me mallra të lidhura me mbrojtjen dhe teknologjitë e ndjeshme që mund të përdoren në sektorin energjetik të Rusisë.

Në vitin 2014, Moska filloi të mbështesë forcat separatiste në Ukrainën lindore kundër qeverisë qendrore, një politikë që ajo e ka vazhduar në shtatë vitet e fundit.

BE-ja ka dënuar në mënyrë të përsëritur stacionimin e vazhdueshëm ushtarak rus në dhe rreth Ukrainës në muajt e fundit dhe ka mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin e këtij vendi./AA

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here