Berisha: Rama po falimenton turizmin, çmimi stratosferik i naftës është goditje e rëndë

0

Kryetari demokrat, Sali Berisha, tha në konferencën e tij të përjavshme se turizmi po përjeton momente shumë të vështira.

“Nga Velipoja deri në Ksamil, kapacitet janë nën 50 përqind. Mungojnë jo vetëm turistët e huaj, por mungojnë turistët shqiptarë.

Një nga shkaqet më dekurajuese për shqiptarët dhe për ata që duan të vijnë në Shqipëri, është çmimi i naftës, i barabartë me Zvicrën. Ju e dini se për të shkuar me makinë nga Tirana deri në Dhërmi, harxhon naftë 130 mijë lekë, por për të fluturuar me EasyJet, nga Tirana në Antalia, harxhon gjithsej 60-70 euro. Këtu ka një paradoks, një çmenduri që po godet rëndë turizmin. Ky është vetëm një faktor.

Shqiptarët e kanë shumë më lirë sot të pushojnë në Greqi, Turqi apo Mal të Zi, sesa të zbresin në brigjet e tyre, me çmimin stratosferik të naftës, por edhe çmimet e produkteve ushqimore. Janë dy-trefishuar.

Keni dëgjuar ndonjë masë të vetme nga qeveria për të mbështetur turizmin? Punëson një çerek milionë qytetarë në sezon. Nuk gjejnë punonjës dhe punëtorë. Ky njeri ka ndërmend të sjellë punëtorë nga Bangladeshi, sepse po i largon të vetët. Ky që blen like nga Bangladeshi, standardet e botës virtuale, po i përdor për botën reale.

Ndërhyrja emergjente është e domosdoshme. Duhet indeksim urgjent sepse në këtë mënyrë po falimenton sektori ku shqiptarët kanë investuar pothuajse gjithçka kanë pasur. Kam këtu foto që janë të frikshme po t’ua tregoj. Turizmi në Shqipëri po pëson një dramë të madhe si shkak i politikave të Edi Ramës.

Të gjitha këto kanë vetëm një zgjidhje. Largimin e Edi Ramës dhe ekipit të tij vjedhës. Shtatori po vonon. Qytetarët shqiptarë duhet të përgatiten dhe do përgatiten për t’i dhënë përgjigjen më të merituar këtij njeriu që nuk respekton, për të cilin realiteti i hidhur shqiptar nuk ekziston.

Këto ditë po afrohen. Shqiptarët do i japin përgjigjen e merituar,” tha Berisha.

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here