Berishizmi përballë impotencës politike të Lulzim Bashës

0

Nga Marlind Laçi

Prej më shumë se dy muajsh bota politike shqiptare i ka sytë drejtë skizmës në brendësi të Partisë Demokratike. Përplasja Berisha-Basha ka prodhuar jo vetëm një aktivizëm të paparë, por edhe një përçarje të fortë në një nga partitë më të mëdha në vend; që nga koha kur Nano përplasej me Metën për karrigen e kryetarit të Partisë Socialiste. Kriza brenda Partisë Demokratike e shkaktuar nga përplasja Berisha-Basha përveç se ka sjellë një shqetësim në jetën politike shqiptare, tek disa demokratë ka prodhuar edhe shpresë e tek disa të tjerë nostalgji. Kaq e djallosur është situata politike dhe ekonomike në Shqipëri me dyshen teatrale Rama-Basha sa që shqiptarëve po i’u ngjall shpresë korifeu i vrasjes së shpresës mbarëkombëtare.

Krahas kësaj përplasje, ky debat ka çjerrë shumë maska të cilat mbështilleshin me aureolën e parimeve dhe moraleve të larta konservatoriste. Deri dje, nga disa Berisha cilësohej ‘Mesia e politikës shqiptare’ apo edhe ca më tepër ‘Babai i Kombit’. Sot konsiderohet ‘Plaku mistrec’ e lloj e soj etiketimesh nga më negativet, nga goja e shpërfytyruar e ‘ish-lehësve’ të tij tashmë mbështetës deri në vetëmohim e vetëflijim të Lulzim Bashës. Ishin ata që deri dje në përputhshmëri të plotë militanteske me ‘Skuadrën e Mbrojtjes’ (SS) thërrisnin ‘Rroftë Berisha’ njëjtë si kur (SS) thërrisnin ‘Rroftë Fyhreri’.
Argumentat e krahut mbështetës të Lulzim Bashës janë nga më qesharaket, duke filluar nga mosha e thyer e Berishës e deri tek mospërputhshmëria e statutit të Partisë Demokratike në mocionin e shkarkimit të kryetarit nga Kuvendi i Partisë. Sot e dy muaj nuk kam dëgjuar asnjë nga analistët ‘bashist’ të marrë guximin e t’a pyesi apo t’i kërkojë llogari Berishës për mëkatet e tij në 30 vjet në politikën shqiptare. Berisha nuk mund të denigrohet duke i treguar numrat e moshës dhe absolutisht nuk mund të penalizohet politikisht nga shpallja non-grata nga Departamenti i Shteteve të Bashkuara. Berishës i duhet kërkuar llogari për mbështetjen ndaj Ligjit të Tokës 7501 që vrau shqiptarët midis veti. Berishës i duhet kërkuar llogari për gradimin e Anastas Janullatos si Kryepeshkop i Autoqefalisë Shqiptare. Berishës i duhet kërkuar llogari për penetrimin e naftës shqiptare drejtë makinerisë vrasëse të Sllobodanit kur Organizata e Kombeve të Bashkuara i kishte vendosur embargo Ish-Jugosllavisë. Berishës i duhet kërkuar llogari për firmat piramidale që vodhën paratë e shqiptarëve kur ai ishte në postin e Presidentit të Republikës. Berishës i duhet kërkuar llogari për luftën civile të 1997 ku nuk bëri atë që duhej në ruajtjen e rendit publik me forcën e shtetit. Berishës i duhet kërkuar llogari për zhdukjen e Remzi Hoxhës. Berishës i duhet kërkuar llogari për tenderat e dyshimtë në ndërtimin e autostradës Durrës-Kukës-Morinë. Berishës i duhet kërkuar llogari për avokatinë ndaj Fatmir Mediut në tragjedinë e Gërdecit. Berishës i duhet kërkuar llogari për mbrojtjen  politike ndaj Ilir Metës kur kapej me ‘presh në duar’ duke kërkuar rryshfet. Akoma më shumë Berisha duhet pyetur a i’a imponoi Bashën si lider të ardhshëm të Partisë Demokratike një forcë e tretë dhe në qoftë se po atëherë kush ishte kjo forcë imponuese?
Nëse këta analistë nuk ngrejnë të tilla pyetjesh nuk janë me parimin, por janë puthadorë, kolltukofagë e sharlatanë të niveleve industriale që kërkojnë që ‘mishi të piqet e helli të mos digjet’.
Hipoteza e dytë e analistëve të Bashës është se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kontrollojnë çdo eveniment politik dhe social në të gjithë ‘botën shqiptare’. Kjo hipotezë u rrëzua një herë e mirë kur Richard Grenell influencoi direkt në rrëzimin nga posti i kryeministrit Albin Kurtin dhe ky i fundit u rikthye akoma më bindshëm duke fituar personalisht rreth 180.000 vota.
Ne shqiptarët jemi populli më pro-amerikan në Europë dhe mirë bëjmë që jemi. Madje edhe shpallja non grata e Berishës nuk mund të jetë arsye për t’a zhbërë marrëdhënien shqiptaro-amerikane. Mendësia se amerikanët nga diplomatë mund të kthehen në vota fizike brenda në kutinë e votimeve duhet injoruar për hir të inteligjencës, qytetarisë dhe të demokracisë. Ajo çka po bëjnë disa analistë oportunistë (krah Bashës) duke përdorur si kapital politik amerikanizmin në gjuhën politike cilësohet tru-shpëlarje e avancuar.
Fatkeqësia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve është se gjithmonë do prodhojnë një model berishist (totalitar), një model lulbashist (impotent i katapultuar në krye) dhe një model frrokçupist (shpifograf me pagesë). Sigurisht më negativi ndër të tre modelet mbetet modeli frrokçupist sepse është po ky model që konstrukton dhe propagandon dy modelet e para.

Që Rama duhet të rrëzohet një sekond e më parë përbën një detyrë kombëtare emergjente për çdo person që i dhimbset Shqipëria dhe shqiptarët, por Rama nuk mund të rrëzohet nga impotenca politike e Bashës. Rama rrëzohet nga një karakter i ngjashëm me të dhe fatkeqësisht karakteri i ngjashëm me Edi Ramën është vetëm dhe vetëm Sali Berisha.

Të rrimë shtrembër e të flasim drejtë!

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here