“Bota demokratike duhet të ndalë qasjen mohuese të Serbisë për krimet e dokumentuara”

0
4

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka shprehur shqetësim të thellë dhe ka dënuar “qasjen antihumane dhe antinjerëzore të liderëve shtetërorë serbë në raport me krimet dhe gjenocidin që shteti i tyre ka kryer gjatë luftërave të fundshekullit të kaluar në njësitë e ish-Jugosllavisë, përfshirë Kosovën”.

Në një komunikatë të MPJ-së, thuhet se mohimi i Masakrës së Reçakut nga liderët serbë, përfshirë presidentin Aleksandër Vuçiq dhe ministrin e jashtëm Ivica Daçiq, është “qasje fashiste e një shteti fqinj që nuk ka ndryshuar as pas 20 vjetësh”.

“Në luftën e Kosovës (1997-1999), forcat ushtarako policore serbe kanë vrarë mbi 13 mijë civilë shqiptarë, prej tyre 1133 fëmijë; kanë dhunuar rreth 20 mijë femra; kanë varrosur nëpër varreza masive në Serbi rreth 6000 trupa (disa qindra i kanë djegur në furra të shkrirjes së metaleve), me synim për të shlyer gjurmët e krimit; kanë djegur mbi 120 mijë shtëpi, kanë deportuar rreth një milion qytetarë dhe kanë plaçkitur gjithçka që kanë mundur, para, ari dhe deri te traktorët dhe bagëtitë e bujqve shqiptarë”, shkruan MPJ.

Më tej aty theksohet se për luftërat në ish-Jugosllavi, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për Krime Lufte ka dënuar Serbinë për gjenocid në qytetin Srebrenicë të Bosnje e Hercegovinës, ndërsa për krime kundër njerëzimit në Kroaci e në Kosovë janë dënuar drejtues ushtarakë, policorë e paramilitarë serbë.

Ministria e Jashtme u ka bërë thirrje institucioneve relevante të bashkësisë ndërkombëtare sidomos BE-së dhe SHBA-ve që “të ushtrojnë presion ndaj liderëve institucionalë të Serbisë për ndaljen e gjuhës së urrejtjes racore dhe mohimin e krimeve të dëshmuara edhe nga Gjykata për Krime Lufte e Organizatës së Kombeve të Bashkuara”.

Kjo sipas MPJ-së, duhet të ndodhë pasi “gjuha aktuale e tyre pamundëson ndërtimin e raporteve të mira ndërfqinjësore dhe si rrjedhojë rrezikon edhe paqen dhe sigurinë e kësaj pjese të Evropës”.

Dje, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me dy vjet burgim ish-ministrin e Administratës dhe Pushtetit Lokal të Kosovës, Ivan Todosijeviç, i cili pasi e quajti trillim Masakrën e Reçakut, akuzohej nga Prokuroria për “nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Pas këtij vendimi, presidenti serb Aleksander Vuçiq e quajti dënimin e Todosijeviçit të frikshëm, ndërsa mbështeti idenë e tij se Masakra e Reçakut është “krim i fabrikuar”./AA

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here