BSH: Të ardhurat nga investimet 42 milionë euro

0

TIRANË, 15 shtator /ATSH/ Vlera e fitimeve nga investimet që bizneset e huaja mbajtën brenda vendit, vijon të ndjek një trend pozitiv të qëndrueshëm.

Mbështetur në të dhënat e Bilancit të Pagesave që publikoi Banka e Shqipërisë, flukset hyrëse të të ardhurave nga investimet shënuan vlerën 42 milionë euro, në 6-mujorin e parë të këtij viti.

Sipas BSH-së, flukset hyrëse, të kuptuara si të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga investimet ka të bëjë me instrumente të kapitalit, por edhe të borxhit. Çka nënkupton fluks të hyrjeve dhe daljeve periodike të të ardhurave në formën e dividendëve që shoqëritë me kapital të huaj shpërndajnë te aksionerët e tyre jashtë vendit ose në formën e interesave për titujt financiarë të huamarrjes jashtë vendit.

Ndërkohë Investimet e Huaja Direkte (IHD) arritën në vlerën 234 milionë euro, në tremujorin e dytë të këtij viti.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, IHD-të, u rritën në vlerën 3 milionë euro.

Në totalin e investimeve të huaja, kryesojnë fitimet e riinvestuara të ndërmarrjeve të huaja ekzistuese në Shqipëri, të cilat zënë më shumë se 50% të fluksit të përgjithshëm të investimeve të huaja për këtë periudhë. Për gjysmën e parë të vitit, Shqipëria ka thithur Investime të Huaja Direkte në vlerën e 463 milionë eurove, në rritje me 0.65% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. /a.a/

ata.gov.al

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here