‘Cullinan’ diamanti më i madh që zbukuron kurorën e monarkut britanik

0

Ceremonia e fundit e kurorëzimit të mbretit britanik Charles III sërish ktheu në qendër të vëmendjes së opinionit diamantin më të madh të gdhendur në botë i cili ndodhet në skeptrin mbretëror, ndërsa bëhet fjalë për diamantin prej 530 karatësh “Ylli i Madh i Afrikës” i cili në oborrin britanik mbërriti 115 vite më parë nga Republika e Afrikës së Jugut.

Diamanti më i madh i gërmuar në botë që quhet Cullinan, iu dorëzua mbretit britanik Edward VII, djalit të mbretëreshës Viktoria në ditëlindjen e tij të 66-të në vitin 1907.

Cullinan deri në ditët e sotme mbetet diamanti më i madh dhe cilësor i gërmuar ndonjëherë.

Ai u gjet në një minierë të Republikës së Afrikës së Jugut ndërsa emrin e mori nga pronari i minierës Thomas Cullinan. Diamanti kishte 3106,75 karat (621,35 gram). Transportimi i tij nga Afrika e Jugut deri në Angli paraqiste problem, kështu që disa detektivë udhëtuan me një anije që supozohej se bartnin diamantin, por guri në anije ishte fals, pasi që i vërteti u dërgua në një kuti të thjeshtë me postë në Angli.

Diamanti iu dorëzua mbretit në gjendje të pagdhendur ndërsa më vonë u thye në nëntë diamantë të gdhendur dhe shumë më të vegjël. Diamanti më i madh i gdhendur u quajt “Ylli i Madh i Afrikës” (Cullian I) me 530.4 karat dhe u vendos në skeptrin e mbretit anglez. Pjesa e dytë më e madhe (Cullinan II) ndodhet në kurorën e mbretit britanik.

Gjatë disa javëve të fundit është hapur përsëri debati rreth kërkesës së jugoafrikanëve të cilët kërkojnë kthimin e “Yllit të Madh të Afrikës”, për të cilin pretendojnë se oborri mbretëror e mori atë pa pëlqimin e tyre.

Vlera e diamantit “Ylli i Madh i Afrikës” llogaritet të paktën 400 milionë dollarë dhe është një nga xhevahirët më të vlefshëm në thesarin e bizhuterive të oborrit mbretëror britanik.

Diamanti “Ylli i Dytë Afrikan” është vendosur në kurorën mbretërore ndërsa “Yjet e Vogla Afrikane” zbukurojnë bizhuteritë e monarkut britanik, kurse të gjitha këto janë pjesë e diamantit të famshëm Cullinan, që disa në Republikën e Afrikës së Jugut edhe sot e kësaj dite e konsiderojnë si trashëgimi nga të parët e tyre të rrëmbyer nga autoritet koloniale britanike.

Portali Change.org raporton se mbi 7.000 persona kanë marrë pjesë në peticionin e quajtur “Kthimi i diamantit Cullinan në Afrikën e Jugut”, të nisur në Republikën Afrikës së Jugut.

Javët e fundit shumë përdorues të rrjeteve sociale në Afrikën e Jugut shpërndanë kërkesën në fjalë.

Deputeti i opozitës në Afrikën e Jugut, Vuyolwethu Zengula, në një postim në llogarinë e tij në Twitter, deklaroi se kthimi i diamanteve nuk do të mjaftojë, por se Republika e Afrikës së Jugut duhet të kompensojë të gjitha humbjet nga periudha koloniale britanike dhe të tërhiqet nga Komonuelthi Britanik.

Julius Malema, kreu i partisë së tretë më të madhe në Afrikën e Jugut, “Luftëtarët e Lirisë Ekonomike”, tha pas vdekjes së Mbretëreshës Britanike Elizabeth II përkujtimi i Mbretëreshës është ekuivalent me përkujtimin e periudhës koloniale.

Theto Mahlakoana, një gazetar afrikano-jugor tha se britanikët duan t’i paraqisnin bizhuteritë si një dhuratë bujare nga Afrika, duke lënë mënjanë realitetin historik.

Mahlakoana tha se në realitet ky diamant u dërgua në Angli pa pëlqimin e popullatës vendase, të cilët, siç tha ai, ishin të ekspozuar ndaj çdo lloj presioni dhe diskriminimi.

Duke theksuar se është shumë e arsyeshme të ngritet çështja e origjinës së diamantit, Mahlakoana tha se ai nuk është ndër mbështetësit e flaktë të kthimit të diamantit.

“Nuk jam aq i sigurt se kthimi i diamantit është opsioni ideal në këtë situatë. Ndoshta kthimi i tij tani do të ishte i pavlefshëm për ne, sepse ai tani është pjesë e historisë së dikujt tjetër. Në vend të kësaj, Afrika e Jugut ka nevojë për kompensim, kompensim duke llogaritur interesin nga viti kur është vjedhur diamanti”, tha ai./AA

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here