Deklarata e fortë nga kombet më të fuqishme të botës: Nuk do ta njohim kurrë ndryshimin e kufijve të Ukrainës

0

Ministrat e Jashtëm të G7 kanë zhvilluar disa ditë bisedime në Gjermani e në përfundim kanë deklaruar se nuk do të njohin kurrë kufij të rinj si rezultat i pushtimit rus të Ukrainës.

“Ne kurrë nuk do të njohim kufijtë që Rusia ka tentuar të ndryshojë me agresion ushtarak dhe do të mbështesim angazhimin tonë në mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, duke përfshirë Krimenë dhe të gjitha shtetet,” tha G7 në një deklaratë pas takimit të ministrave të saj të jashtëm.

Grupi i shtatë vendeve më të industrializuara (G7) i bëri thirrje Kinës që të mbështesë sovranitetin e Ukrainës dhe të mos e ndihmojë Rusinë, duke paralajmëruar se lufta e paprovokuar e Moskës kundër Ukrainës ka kërcënuar botën duke shkaktuar krizë të rëndë të ushqimit dhe energjisë.

Përveç se kërkuan nga Kina që të mos e mbështesë Moskën teksa lufta vazhdon, G7 po ashtu i bëri thirrje Pekinit që të “heqë dorë nga përfshirja në manipulim të informacioneve, në dezinformim dhe mjete të tjera për të legjitimuar luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”.

G7 po ashtu i bëri thirrje aleates së Rusisë, Bjellorusisë, që të ndalojë “mundësimin” e përpjekjeve luftarake të Rusisë dhe të “respektojë detyrimet e saj ndërkombëtare”.

Deklarata gjithashtu thotë se G7 do të zgjerojë sanksionet dhe do të vazhdojë të furnizojë Ukrainën me armë, raporton AFP.

 

Pushtimi i rus i Ukrainës që nisi më 24 shkurt, sipas G7-s, ka “shkaktuar një prej krizave më të rënda të ushqimit dhe energjisë në histori, që tani kërcënon personat më të ndjeshëm në mbarë botën”.

Ky grup, që përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia, po ashtu tha se duhen masa urgjente për të zhbllokuar furnizimet me drithëra që Rusia po parandalon Ukrainën që t’i eksportojë, e që sipas G7-s, po kontribuon në krizën me ushqim.

Ministrat e Jashtëm të G7-s që morën pjesë në takimin në Gjermani po ashtu u zotuan se do të thellojnë izolimin ekonomik dhe politik të Rusisë përmes sanksioneve, duke shtuar se shtetet e tyre po ashtu do të vazhdojnë të ofrojnë ndihmë të mbrojtjes dhe ushtarake për Kievin “për aq kohë sa është e nevojshme”.

BBC

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here