Dialogu Kosovë-Serbi/ Grenell në Prishtinë: Dëshirojmë të bëjmë progres në këtë rajon

0
6

I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, është pritur nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një darkë zyrtare.

Grenell i cili do t’i zhvillojë disa takime në Kosovë dhe Serbi, tha se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është i interesuar të zgjidhë çështjen e Kosovës dhe Serbisë në fushën e ekonomisë, ngase “të rinjtë kanë nevojë për punë”.

“Ajo çfarë unë po mundohem të bëjë, është që të shikoj të gjitha çështjet e së kaluarës, që kanë mbetur pa u zgjidhur, e që kanë ndikim në ekonomi dhe t’i zgjidhim ato, bashkë me dy qeveritë dhe liderët e të dyja vendeve, t’u themi ‘shikoni njerëzit… filloni të ecni përpara me punësime’”, tha Grenell.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi falënderoi ambasadorin Grenell për vizitën e tij, e gjithashtu ai tha se marrëveshja e arritur nën lidershipin e ambasadorit Grenell për linjen ajrore Prishitnë-Beograd është diçka e re “që të tjerët nuk kanë mundur ta bëjnë”, por e ka bërë administrata Trump dhe ambasadori Grenell.

Presidenti Thaçi tha se ka besim se në lidershipin e presidentit Trump do të arrihet “deri te marrëveshja finale mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, e kjo do t’i ndihmojë shumë zhvillimit ekonomik, progresit, paqes dhe stabilitetit”.

Ai tha se sa i përket çështjes së të nominuarit për kryeministër, “tani i mbetet partive që të punojnë dhe atij personalisht të gjejë partnerë dhe të bëjë shumicën e mjaftueshme që të votohet në Kuvendin e Kosovës”, ndërsa vizita e Grenell s’ka të bëjë me “ndonjë presion për formimin e qeverisë”.

“Ambasadori Grenell është i ngarkuar special për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi nga presidenti Trump. Nuk është për çështje lokale dhe të brendshme politike këtu, sikur që nuk është asnjë diplomat. Prandaj ne do të diskutojmë për dialogun, për çështjet jetike që janë me rëndësi të konsolidimit të shtetit të Kosovës”, tha Thaçi.

Grenell gjithashtu deri më tani sipas informacioneve zyrtare nga Lidhja Demokratike e Kosovës, do të takohet me kreun e kësaj partie, Isa Mustafën. Ndërsa pas Kosovës, Grenell do të udhëtojë në Serbi, ku të premten do të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq./AA

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here