“Divizioni i patronazhistëve”, një “mutacion” me emër të ri

0

Xhevat Mustafa/ Publikuesit e pagave ‘stratosferike’ meritojnë të përgëzohen e jo penalizohen. Një oqean ndan pagat dhe përfitimet e disa këshilltarëve, pushtetarëve e analistëve, që duke “punuar” në shumë vende si dhe tek grabitqarët e PPP, marrin pa dalë nga shtëpitë 10-fish rroga më të larta, se pagat dhe pensionet liliputike të popullit.

RAMA-QEVERIA E KA SAJUAR SI STRUKTURË, E KA LEGALIZUAR DHE FINANCUAR RREGULLISHT E MAJMËRISHT, KUR JANË TEJRRITUR BORXHI PUBLIK, FATURAT E PPP-VE, SHUMICA ME DOZA TË LARTA KORRUPSIONI, VARFËRIA, ÇMIMET E ARTIKUJVE KRYESORË TË KONSUMIT TË PËRDITSHËM JETIK…,“DIVIZIONI I PATRONAZHISTËVE” , DE FACTO, ËSHTË NJË “MUTACION” ME EMËR TË RI I SIGURIMIT TË VJETËR ENVERIAN.

Lajmi se Prokuroria e Tiranës ka arrestuar 4 të dyshuar për skandalin me listëpagesat e 690 mijë qytetarëve…dhe se ata, për shumat qesharake në rreth 20-30 mijë lekë, kanë nxjerrë edhe databazen me të dhënat e qytetarëve të kryeqytetit, të përfshirë në dosjen e patronazhistëve, ku krahas emrit, mbiemrit dhe numrit të ID-së, secili patronazhist shënonte preferencën politike të votuesit…”, ashtu siç është shprehur në shumicën e rrjeteve sociale e në media, është pritur me habi, indinjatë dhe kundërshtime nga shumica e popullit të thjeshtë. Arësyeja është e lehtëkuptueshme. Katër të arrestuarit apo të dënuarit me detyrim paraqitjeje dhe arrest shtëpie, me bindjen e vet apo të shtyrë nga brenda e nga jashtë, u hapën sytë e ballit dhe të mendjeve për një nga skandalet shumëvjeçarë, që ua ka mbajtur të fshehtë apo të mbuluar me gjethe fiku Rama-parti-qeveria. Konkretisht, për “oqeanin” që ndan pagat dhe përfitimet sheikore të disa politikanëve, pushtetarëve, qeveritarëve, bosëve, “analistëve mediatikë dhe politikë”, kryesisht proqeveritarë e sorosianistë, me pagesa mujore e vjetore edhe më të larta se presidenti i SHBA-së, Biden…Apo disa fish më të larta se vetë kryeministri Edi Rama, se kryeparlamentarja, Lindita Nikollla…Në fund të fundit, të katër të arrestuarit, pavarësisht formalitetit të shkeljes ligjore, kryen një veprim që duhej ta bënte çdo vit, me rregullsi dhe transparencë të plotë, vetë Rama-qeveria dhe strukturat e saj përkatëse në Ministrinë e Financave, INSTAT, KLSH…Njëkohësisht, ata i ”kujtuan” Rama-qeverisë edhe një traditë shumëdekadëshe, sidomos në vendet e Perendimit Kapitalist, me demokraci të vërteta dhe funksionale…Në këto vende është praktikë që çdo fillim viti bëhen publike pagat, së bashku me rimbursimet, rritje-uljet, taksimet…Këto të dhëna, si GDP, të ardhurat vjetore nga pagat, bizneset, veprimtaritë shkencore, studimore, artistike, sportive, etj. bëhen publike edhe në Ëikipedia dhe rrjete publike, nëpërmjet Google Crome dhe Instituteve të Statistikave, pa menduar se mund të vidhen nga shërbimet sekrete të të huajve dhe mund të bëhen shkaqe për akte terroriste. Vetëm Rusia, Kina, Korea e Veriut, Irani…nuk i bëjnë publike në Ëikipedia dhe buletine informative e statistikore. Ka vende që çdo 3 muaj botojnë buletine informative të zgjeruara për këto të dhëna apo tregues, duke mbajtur vazhdimisht në vëmendje dhe kontroll ecurinë e zhvillimit, të nivelit të mirëqenies, të politikës sociale…

Sa për shqetësimin se 4 të akuzuarit kanë bërë publike, nëpërmjet “shitjeve banale” edhe të dhëna dhe ID- të e shumë zyrtarëve, nëpunësve dhe gazetarëve proqeveritarë, si dhe të “armatës së patronazhistëve”, mund të thuhet se ky është një sebep për t’i penalizuar ata më shumë për këtë “herezi”. Edhe sikur të jetë e vërtetë dhe të konfirmohet me fakte se Endri Ikonomi, një nga katër personat e arrestuar, ka qenë i punësuar për një nga miliarderët rus, Oleg Viktorovich Boyko, i përfolur më së shumti për kompromentim me lidhje e biznese jo të pastra, edhe për manipulim zgjedhjesh, përsëri nuk ka përse të tejzmadhohet e keqja apo rreziku. Nuk përbën çudi apo surprizë që, KGB-ja ruse, zbulimet sekrete greke, serbe, etj, t’i kenë “të dhënat tona sekrete” më mirë të njohura e të ruajtura se sa nga ne vetë.

OQEANI QË NDAN PAGAT DHE PËRFITIMET SHEIKORE TË DISA POLITIKANËVE, PUSHTETARËVE, QEVERITARËVE, BOSËVE, “ANALISTËVE MEDIATIKË DHE POLITIKË, QË DUKE “PUNUAR” NËPËR 4-5 VENDE VETËM NËPËR NGA SHTËPITË DHE KAFENETË, MARRIN PAGA DHJETRAFISH MË TË LARTA SE PAGAT DHE PENSIONET LILIPUTIKE TË SHUMICËS SË POPULLIT.

Me humor: të dhënat tona janë si mallrat në tregjet e gabit të Tiranës, Elbasanit, Vlorës, Fierit, Lushnjes, Kavajës, Durrësit, Krujës…! Sipas deklarimeve nga prokuroria abuzimi apo “krimi” më i madh i tyre na qenka publikimi i “dosjes së patronazhistëve…Pavarësisht se Rama-qeveria e ka sajuar si strukturë, e ka legalizuar dhe financuar rregullisht e majmërisht, kur janë tejrritur borxhi publik, faturat e PPP-ve, shumica me doza të larta korrupsioni, varfëria, çmimet e artikujve kryesorë të konsumit të përditshëm jetik…,“divizioni i patronazhistëve” , de facto, është një “mutacion” me emër të ri i sigurimit të vjetër enverian. Si i tillë, pavarësisht sofizmave dhe furçeve të Ramës, është shprehje e cënimit flagrant të kufizmit të lirisë së mendimit, shprehjes dhe veprimit të popullit, të demokracisë së vërtetë apo të standarteve që na kërkojnë prej shumë vitesh SHBA-ja, BE-ja, si kusht kryesor për hapjen e negociatave të anëtarësimit të plotë e të merituar në gjirin e saj. Apo më shqip apo troç, është një “monstër me maskë të shklyer demokracie”, shprehje dhe formë neodiktature…Fytyrën, natyrën, shpirtin… e vërtetë dhe “devotshmërinë prej skllevërish” ndaj Rama-Parti-qeverisë e shprehën edhe në masakrën apo maskaradën e vjedhje-blerjes së “fitorjes historike” në zgjedhjet allashqiptare apo allasocialiste të 25 prillit 2021.

Si për shumëçka në vendin tonë gjatë këtyre 77 vjetëve, si dhe në Kosovë gjatë këtyre rreth 22 vjetëve, është e patolerueshme dhe e dënueshme, që mungon transparenca zyrtare publike, e plotë dhe e sinqertë për të dhëna jetike, të kësaj natyre, sidomos ato në nivelet e larta e të mesme të piramidave qeverisëse, shtetërore, biznesore, OJQ-rore, sorosianore….Pra, deri ditën kur u bënë publike pagat stratosferike të një kontigjenti zyrtarësh të lartë, gazetarësh filoqeveritarë, përfshirë të shumëpërfolurin vetëm për keq, Baton Haxhiu; drejtuesish dhe nëpunësish në kompani biznesi apo OJQ, kryesisht sorosiane, është mbajtur sekret shtetëror, pa qenë i tillë, një e vërtetë tronditëse dhe revoltuese. Këta, shumica duke “punuar” nëpër 4-5 vende vetëm nëpër border apo nga shtëpitë dhe kafenetë, marrin paga shumëmilioneshë, dhjetrafish më të larta se pagat dhe pensionet liliputike të shumicës së popullit. Kjo masakër apo maskaradë financiare e buxhetore ka vazhduar ndërsa çmimet kanë mbi 8 vjet që njohin vetëm rritje të pafre, të palogjikshme e të pajustifikueshme as nga këndvështrimi ekonomiko-financiar, as nga ai njerëzor apo sentimental dhe dhembshuror. Në këto 8 vjet është e dukshme dhe nga të verbërit nga të dy sytë se vendi dhe shumica e popullit ka rrëshqitur pandalshëm drejt fundit të greminave të varfërisë, korrupsionit, emigracionit, kriminalitetit, partishmërisë fanatike e aspak logjike. Paradoksale është se në vend të reagimit masiv popullor antiqeveritar, po përjetohet hakmarrja qeveritare ndaj atyreve, që u hoqën petat një “byreku shumëvjeçar të mykur e të qelbur”. Shprehur ndryshe, nëse këtu do të kishte POPULL si në Francë, ku, në mars 2019, për 10 cent ngritje të çmimit të karburanteve “jelekverdhët francezë” i vunë flakët shumë shesheve dhe rrugëve të Parisit e të disa qyteteve të tjera të mëdha e siç po ndodh edhe këto ditë kundër masave kufizuese të pandemisë apo si në Kazakistanin e këtyre ditëve, kundër varfërisë dhe korrupsionit, vendi ynë duhej të ishte përfshirë nga protesta masive popullore…! Por, ne jeni vend dhe popull sui generis, paradoksal dhe foshnjërak për nga emancipimi qytetar dhe demokratik. Njëherazi jemi popull thashethemesh, “trim i çartun”, që “të merr gjak në vetull” nëpër kafene e qebabtore, nga motoçikleta dhe vetura, nga pako me tritol apo plumba pas kurrizit, me fytyra mbuluar me maska të zeza…Njëherazi, fatkeqësisht, çuditërisht, deri në absurditet, jemi edhe popull që i shtyn ditët duke u ekstazuar para ekraneve televizive, duke parë telenovela turke me sulltanë, vezirë, pashallarë, me orgjira dhe intriga haremesh; popull, që më shumë se veten, familjet, Shqipërinë, Kombin…,don partinë dhe kryetarin…Nuk njeh dobësim dhe shuarje kjo “dashuri qorre”, “vetëmohuese”, “vetëvrasëse”… edhe pse e kuptojnë fare mirë se Enveri, Ramizi, Fatosi, Edi…kanë 80 vjet që i nëpërkëmbin, terrorizojnë, tallin, “tradhëtojnë” dhe mashtrojnë sy më sy e fare trashë, sikur të ishin “kalamanj çerdhesh dhe kopshtesh…, që u kanë nxirë jetën dhe Shqipërinë, parajsë tokësore nga ZOTI”!

P.S: Më dt. 10.01.2022, rreth orës 9.00, u njoftua nga disa media dhe rrjete publike se 4 të arrestuarit për publikimin e pagave stratosferike të disa zyrtarëve dhe “bojaxhinjve të tyre” mediatikë, janë liruar nga qelitë ku mbaheshin prej disa ditësh dhe se ata “do të hetohen me masa të buta sigurie”. Kjo ngjarje e gëzueshme shpreh se në prokurori ka edhe specialistë, që analizojnë dhe vendosin me profesionalizëm, përgjegjshmëri e jo me partishmëri dhe filoqeveritarizëm të verbër!

Mendimet e cituara në lajmin e mësipërm i përkasin autorit. Frekuenca.net nuk mban asnjë përgjegjësi për brendinë e këtij shkrimi.

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here