Drejt shkrirjes Agjencia Kombëtare e Diasporës, Ministria e Jashtme: Ulim 71 milionë Lekë kosto buxhetore

0

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) ka propozuar shfuqizimin e ligjit për funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës.

Në projektligjin për shfuqizimin e ligjit nr.115/2017, “Për Krijimin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës”, i ndryshuar i botuar në konsultimet publike përcakton krijimin e një strukture të dedikuar për çështjet e diasporës në MEPJ. Sakaq Këshilli i Ministrave ka miratuar në shkurt të këtij viti vendimin “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme”, sipas të cilit MEPJ caktohet si institucion përgjegjës për diasporën, përgjegjësi kjo që më parë i përkiste Ministrit të Shtetit për Diasporën.

“Krijimi i Agjencisë Kombëtare të Diasporës ka lindur i nevojshëm në kushtet kur ministri përgjegjës për diasporën ishte ministër pa portofol, ç’ka nënkupton, ndër të tjera, mungesën e burimeve njerëzore të brendshme dhe nevojën për mbështetje nga strukturat jashtë kësaj ministrie. Ministria ka të gjithë mekanizmat për të kryer detyrimet dhe objektivat e Agjencisë dhe shpreson që me riintegrimin e çështjeve të diasporës në Ministri, kontributet dhe burimet e diasporës mund të thjeshtohen dhe të përdoren në mënyrë efektive për të ndihmuar në arritjen e qëllimeve të zhvillimit të vendit.

Shfuqizimi i ligjit nr.115/2017, datë 18.12.2017 “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës”, dhe rishikimi i Ligjit nr. 16/2018 “Për Diasporën” si dhe i akteve nënligjore në zbatim të këtyre ligjeve. Krijimi i një strukture të dedikuar për çështjet e diasporës në MEPJ. Rriten efektivitetet e realizimit të politikave shtetërore për konsolidimin e bashkëpunimin institucional me Diasporën dhe zvogëlohen kostot buxhetore, përafërsisht me 71 milionë lekë”, thuhet në raportin e vlerësimit për draftin.

Në raportin e vlerësimit të draftit argumentohet se krijimi i një strukture të dedikuar për çështjet me diasporën pranë MEPJ-së, duke mbajtur edhe Agjencinë njëkohësisht, do të krijonte sisteme paralele dhe do të zvarriste zgjidhjen e problematikave të sipërcituara si dhe realizimin eficent të objektivave. “Ky variant rrit koston, krahasuar me variantin Opsionin 1 (rregullator). Krahasuar me opsionin rregullator ky variant përfshin ne kosto: 1)buxhetin e diasporës qe aktualisht për vitin 2022 është 128 milionë lekë; 2)shpenzimet e personelit për krijimin e strukturës së posaçme në MEPJ (1+4), që për një vit buxhetor llogaritet me 7 milionë lekë. Kostoja totale sipas këtij varianti është 135 milionë lekë për një vit buxhetor. Ky variant do të çoje në dyfishimin e kostos, madje edhe më shumë”.

Propozimi i projektligjit vjen pas analizës që i është bërë kuadrit ligjor në fuqi për çështjet e diasporës. “MEPJ-ja me të gjitha strukturat e saj brenda dhe jashtë vendit, me përfaqësitë diplomatike dhe konsullore, ka mbajtur dhe mban një marrëdhënie ndërvepruese dhe të dobishme për dhe me diasporën. Mbivendosja dhe paralelizmi i këtyre strukturave zvogëlon efikasitetin dhe rrit kostot (burimet njerëzore + kosto logjistike) Komunikimi i drejtpërdrejtë me diasporën në botë dhe organizimi i saj për të rritur nivelin e veprimtarisë së tyre brenda vendit, është një nga objektivat e politikës së jashtme”, citohet në relacion./Monitor

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here