Drejtësia e re kap ‘peshkun e parë të madh’, përfundimisht 2 vite burg për Adriatik Llallën! SPAK: Të ekzekutohet vendimi! Ish-kryeprokurori, zyrtari më i lartë që do shkojë në qeli

0

TIRANË-Ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla do të shkojë në burg. Vendimi përfundimtar, i formës së prerë dhe i zbatueshëm, është marrë sot nga Apeli i Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit.

Kur reforma në drejtësi në Shqipëri u votua me 140 vota në Kuvend, në mendjet e gjithsekujt ishte pikërisht realizimi i një sistemi drejtësie që do të çonte në qeli ‘të paprekshmit’ e Tiranës, ose siç është thënë shpesh edhe nga amerikanët ‘peshqit e mëdhenj’.

Dhe me vendimin e sotëm Apeli i GJKKO bëri pikërisht këtë duke lënë në fuqi vendimin për dënimin me 2 vite burg për ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, i cili bëhet kështu zyrtari më i lartë shqiptar që do të shkojë përfundimisht në qeli. Ish-Kryeprokurori është dënuar gjithashtu me 5 vite përjashtim nga postet publike si dhe ia janë konfiskuar disa pasuri.

Report Tv mëson se Llalla prej një jave është larguar jashtë vendit për t’u mjekuar në një klinikë private. Nëse nuk paraqitet pas lënies në fuqi të vendimit, ndaj ish kryeprokurorit mund të shpallet mandat arresti e urdhër kërkimi ndërkombëtar. Sipas informacioneve të Report Tv Adriatik Llalla ndodhet në Itali. Tashmë pas vendimit të formës së prerë të GJKKO pritet zbatimi i urdhrit të ekzekutimit. Sipas ligjit për ekzekutimin e vendimeve penale fillimisht duhet që prokurorët të marrin vendimin e Gjykatës dhe më pas të njoftojnë të dënuarin për ekzekutim vullnetar.

Sipas nenit 24 të ligjit për ekzekutimin e vendimeve penale, njoftimi i dorëzohet të dënuarit personalisht dhe, kur kjo nuk është e mundur, familjarëve të tij. Kur kjo mënyrë njoftimi nuk është e mundur, njoftimi bëhet nëpërmjet strukturave vendore të Policisë së Shtetit ku i dënuari ka vendbanimin. Afati i paraqitjes vullnetare në institucionet e caktuara për vuajtjen e dënimit nuk mund të jetë më vonë se 7 ditë nga dita e njoftimit./shqiptarja

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here