Dritë jeshile për fëmijët me aftësi ndryshe (FOTO+VIDEO)

0
6

Të punosh për përmirësimin dhe kujdesin ndaj fëmijëve me aftësi ndryshe padyshim që është një nga punët më të vështira, ndërsa të mirat materiale në këtë drejtim luajnë një rol kyç. Të njëjtën gjë pohon në një intervistë për frekuenca.com, pskiologia e Shkollës Speciale Luigj Gurakuqi, Klarina Finaj.

“Të punosh e vetme në një shkollë me 125 nxënës nga mosha 9 – 19 vjeç, të cilët kërkojnë një përkujdesje shumë të madhe është e vështirë, por falë konditave këtu kjo punë na bëhet edhe më e lehtë”, theksoi ajo pas ceremonisë së inaugrimit të dhomës së perceptimit të dhururar nga Agjencia Turke për Zhvillim dhe Koordinim TİKA, në të cilën ishin të pranishëm, Ambasadori i Turqisë Ahmet Murat Yörük, Koordinatori i TIKA-s në Shqipëri, Necip Özay Özütok, Zëvëndës ministria e Arsimit të Shqipërisë, Besa Shahini dhe drejtori i shkollës, Elmaz Lala.

Psikologia e kësaj shkolle 9-vjeçare Finaj tregon se dhurata e çmuar e bërë nga ana e Agjencisë TIKA padyshim që do të jetë shembull dhe shton se kjo sallë ka një rëndësi të veçantë në zhvillimin e fëmijëve me nevoja speciale. “Kjo dhomë do të zhvillojë aspektin social dhe do të përmirësojë gjendjen emocionale të fëmijëve, falë edhe pajisjeve të shumta që gjenden në të. Pjesë e dhomës është edhe këndi i veçantë, për rritjen e aftësive të njohjes së ngjyrave, dritave, yjeve dhe figurave të ndryshme”.

Veç kësaj psikologia theksoi se në zhvillimin e këtyre fëmijëve rëndësi të veçantë ka bashkëpunimi mes institucioneve dhe prindërve, pasi pajisjet janë të pa mjaftueshme në këtë drejtim dhe nevojitet një program i ndërthurur shkollë-prind.

Lidhur me këtë investim shumë domethënës edhe drejtori i shkollës, Elmaz Lala u shpreh se është mirënjohës ndaj qeverisë turke dhe institucioneve të saj për investimin e dhomës së preceptimit. “Kemi pasur edhe më parë investime në shkollën tonë, por ky investim është më i rëndësishmi pasi do jetë një model në këtë drejtim”, përfundoi Elmazi.

Ndërsa zëvendës Ministrja e Arsimit Shahini ka thënë se ky arsim është  prioriteti i qeverisë dhe institucionit që ajo përfaqëson duke vënë në dukje dhe punën e tyre në 4 vjeçarin e shkuar. Shahini tha se shtimi i 300 mësuesve në këtë arsim është një tregues i qartë i vëmendjes së autoriteteve ndaj këtyre fëmijëve.

Nga ana tjetër Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Yörük në fjalën e tij tha se është sot këtu për të inauguruar këtë projekt të cilin e quajti si një projekt i rëndësisë së veçantë. “Nuk dua ta zgjas shumë fjalën time, por kur kemi të bëjmë me fëmijët nuk mund të lë pa thënë se dy vendet tona të cilat kanë marrëdhënie shumë të mira. Ne, me frymëzimin e marrë nga këto marrëdhënie duam t’i forcojmë ato  me projekte më konkrete në të mirën e dy vendeve dhe popujve tanë. Një tregues i qartë i kësaj është edhe kontributi në këtë fushë, në të cilën Turqia ka një eksperiencë të shkëlqyer. Ne e dimë mirë se këto fëmijë kanë nevojë për një kujdes shumë të veçantë. Fëmijët në Shqipëri janë edhe fëmijët tanë. Në këtë pikëpamje ne jemi të lumtur nëse do i ndihmojmë sadopak këto fëmijë në formimjn e tyre arsimorë”, përfundon Yörük. ©Frekuenca.com

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here