Elon Musk lë “pezull” marrëveshjen me Twitter prej 44 miliardë dollarësh

0

Aksionet bien pothuajse 20% pasi sipërmarrësi ngre pikëpyetje mbi llogaritë e rreme në faqen e mediave sociale

Elon Musk ka lënë “pezull” blerjen e Twitter, pas shqetësimeve në lidhje me numrin e llogarive të padëshiruara dhe false në platformën e mediave sociale, duke ngritur dyshime të reja nëse shefi ekzekutiv i Tesla-s do të përfundojë marrëveshjen prej 44 miliardë dollarësh.

Sipërmarrësi njoftoi lëvizjen në një mesazh në Twitter të Premten, duke ndarë një lajm të Reuters këtë muaj, që sugjeronte se numri i llogarive të rreme në faqe përfaqësonte më pak se 5 për qind të 229 milionë përdoruesve të tij.

Deklarata goditi menjëherë çmimet e aksioneve të Twitter, që ranë 19.7 për qind në 36.23 dollarë. Musk më pas bëri një postim shtesë dy orë më vonë, duke shtuar se ai ishte “ende i përkushtuar për blerje”.

Twitter tani tregtohet me një zbritje prej 33 për qind në çmimin prej 54,20 dollarësh për aksion që Musk ra dakord të paguante në mes të prillit, duke sinjalizuar se investitorët nuk besojnë se një marrëveshje do të ndodhë diku afër këtij çmimi dhe ndoshta nuk do të ndodhë aspak.

Dyshimi që u ngrit në tweet-in e Musk është shembulli më i fundit i vorbullës se si ndodhi transaksioni, i cili madje bëri që Musk të hiqte dorë nga e drejta e tij për të kryer kontrollin (due diligence) gjatë negocimit të kushteve.

Twitter dhe Musk nuk iu përgjigjën një kërkese për koment.

Aksionet e Tesla-s, të cilat kanë rënë me 33 për qind që kur Musk postoi në Twitter se po mendonte seriozisht për blerjen e platformës së mediave sociale në fund të marsit, u rritën me gati 6 për qind në tregtimet e hershme në Nju Jork.

Është e paqartë se cili ishte efekti juridik i njoftimit të tij. Musk ka thënë më parë se një nga prioritetet e tij për platformën është “të mposhte spam bots ose të përpiqej në maksimum për ta bërë këtë ” dhe të vërtetojë llogaritë njerëzore.

Në rezultatet e tremujorit të parë të Twitter, kompania tha se më pak se 5 për qind e përdoruesve të saj aktivë të përditshëm, që sjellin të ardhura, ishin llogari të rreme ose të padëshiruara.

“Në marrjen e këtij përcaktimi, ne aplikuam gjykim të rëndësishëm, kështu që vlerësimi ynë i llogarive false ose të padëshiruara mund të mos përfaqësojë me saktësi numrin aktual të llogarive të tilla dhe numri aktual i llogarive false ose të padëshiruara mund të jetë më i lartë se sa kemi vlerësuar ne”, tha Twitter.

Lëvizja e Musk vjen vetëm një ditë pasi Twitter njoftoi një ngrirje të menjëhershme të punësimit, masa për uljen e kostove dhe largimin e dy liderëve të lartë. Kompania është përballur me presion afatgjatë nga investitorët për rritjen e ngadaltë krahasuar me rivalët si Meta dhe TikTok.

Oferta e miliarderit për të blerë Twitter-in shkaktoi valë tronditëse në të gjithë botën e teknologjisë dhe financiare, megjithëse shumë spekuluan se Musk nuk ishte serioz për marrëveshjen ose se ai përfundimisht do të largohej. Shefi i Tesla-s ra dakord të paguante një tarifë prej 1 miliard dollarësh nëse ai braktis marrëveshjen.

Daniel Ives, strateg në Wedbush Securities, shkroi në një shënim analisti: “Bursa do ta shohë këtë marrëveshje si 1) me gjasë që po shpërbëhet, 2) Musk po negocion për një çmim më të ulët të marrëveshjes, ose 3) Musk thjesht largohet nga marrëveshja, duke paguar një Tarifë prej 1 miliard dollarë.” / Financial Times

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here