Embëlsira e fundjavës/ Panna cotta me çokollatë të bardhë, receta e mbretit të kuzhinës italiane

0
4

Iginio Massari njihet si mbreti i pastiçerisë italiane. Edhe këtë vit, ai u shpall për të gjashtën herë, pastiçeri numër 1 në Itali për pastiçerinë moderne dhe tradicionale, prandaj Linda Fishta ka menduar të ndajë me ju një recetë të tij.

Përbërësit për tavë drejtkëndëshe 25×15 cm: 700 ml pana, 120 g çokollatë e bardhë, 14 g xhelatinë (7 fletë x 2 g) i gjeni me emrin “Colla di Pesce”, 2 bustina vanilje, rrush të freskët të bardhë dhe gjethe rrushi për zbukurim ose fruta të tjera të freskëta sipas dëshirës.

Përgatitja: Në një tas me ujë të ftohtë, vëmë fletët e xhelatinës të hidratohen për rreth 10 minuta. Ndërkohë, presim çokollatën në copa të vogla. Në një tenxhere të vogël, hedhim panën bashkë me vaniljen dhe e vëmë të ngrohet në flakë të ulët duke e përzier vazhdimisht dhe e heqim sapo të ngrohet, pa marrë valë akoma. Shtojmë menjëherë çokollatën dhe fletët e xhelatinës, të cilat i shtrydhim mirë me dorë për t’u hequr ujin e tepërt. I përziejmë mirë me lugë druri ose me rrahësen e vezëve me dorë derisa të shohim që janë tretur dhe kemi një masë homogjene.

Hedhim masën e krijuar në një tavë të lagur më parë me ujë të ftohtë ose të veshur me plastmasë kuzhine. E lëmë të pushojë në fillim në temperaturë ambienti dhe më pas në frigorifer, për jo më pak se 6 orë. Kur ta shërbejmë, e zhysim tavën në një tavë më të madhe me ujë të valuar, për 30 sekonda (duke patur kujdes të mos na laget tava brenda) ose e nxjerrim nëpërmjet plastmasës që kishim vënë më parë dhe pastaj e përmbysim mbi një pjatë të madhe. E zbukurojmë sipas dëshirës me rrush ose fruta të tjera freskëta./living.al

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here