Eurodeputetët letër Von der Leyen: Hetoni Oliver Varhelyin, mbështeti Dodik-un e shpallur ‘non grata’ për shpërbërjen e Bosnje-Hercegovinës

0

30 eurodeputetë i kanë dërguar një letër presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ku i kërkojnë që të hetojë zyrtarin e BE-së, Oliver Varhelyi. Anëtarët e Parlamentit Evropian (PE) i shkruajnë në letër Von der Leyen se sipas një dokumenti të zbuluar thuhet se komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi ka bashkëpunuar me udhëheqësin serb Milorad Dodik, i cili u shpall ‘non grata’ nga SHBA, për të shpërbërë Bosnjën dhe Hercegovinën.

“Më shqetësues është një dokument i zbuluar, i cili është nënshkruar nga Johann Sattler, Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Bosnje dhe Hercegovinë, ku thuhet se komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, ka bashkëpunuar hapur me Milorad Dodik për ndarjen e mundshme të Bosnje dhe Hercegovinës. Raporti vëren se komisioneri Varhelyi ‘u pajtua’ me z. Dodik lidhur me datën e një sesioni të posaçëm të Asamblesë Kombëtare të Republikës Sprska dhe se do të shpallej një moratorium 6-mujor për të miratuar legjislacionin mbi tërheqjen e njëanshme nga institucionet shtetërore”, shkruhet në letër.

Eurodeputetët kanë ngritur tre pyetje në letër dhe presin përgjigje nga Komisioni Europian mbi veprimet e Varhelyit, nëse ato janë në përputhje me politikën e BE-së ndaj Bosnje-Hercegovinës dhe nëse do të ketë një hetim për rolin e tij si Komisioner për Fqinjësinë dhe Zgjerimin.

Bosnja aktualisht po përballet me krizën e saj më të madhe politike që nga përfundimi i luftës në dhjetor 1995, kur u nënshkrua marrëveshja e paqes e Dejtonit. Marrëveshjet e ndanë vendin në dy entitete gjysmë autonome, entitetin e Federatës së dominuar nga boshnjakët dhe kroatët dhe entiteti Republika Srpska e drejtuar nga serbët.

Letra e nënshkruar nga 30 eurodeputetët thekson se Komisioni si një palë neutrale ka një rol kyç në sigurimin e respektimit të marrëveshjes së Dejtonit nga të dyja palët pasi tensioni politik brenda Bosnje Hercegovinës ka përshkallëzuar. Kjo letër u nda në rrjetin social ‘Twitter’ nga eurodeputetja Katalin Cseh.

“Me kolegët e eurodeputetëve, ne bëjmë thirrje për një hetim mbi rolin e Komisionerit Varhelyi që ndihmon përshkallëzimin separatist Milorad Dodik në Bosnje-Hercegovinë. BE-ja duhet të qëndrojë në mënyrë të vendosur në anën e paqes. Njerëzit në Bosnje-Hercegovinë meritojnë qartësi për këtë situatë”, shkruan ajo.

Milorad Dodik u shpall “non grata” nga SHBA si i përfshirë në korrupsion dhe cenim të demokracisë. Prej muajsh, ai ka kërcënuar tërheqjen e serbëve nga institucionet e shtetit federal boshnjak me pretendimin se nuk janë respektuar të drejtat e minoritetit serb në vend sipas Marrëveshjes së Dejtonit 1995. Pas shpalljes “non grata” nga SHBA, Dodik deklaroi se në 5 vitet e ardhshme ai parashikon që Republika Srpska do të bëhet shtet i pavarur. Javën e ardhshme, ministrat e Jashtëm të BE do të mblidhen për të diskutuar çfarë masash dhe qëndrimesh do të mbajnë për situatën në Bosnje-Hercegovinë, raporton Shqiptarja.com.

Letra e eurodeputetëve drejtuar presidentes së KE-së, Ursula von der Leyen:

Parlamenti Evropian, por padiskutim edhe Komisioni Europian e ndjekin me vëmendje çështjen e Republika Srpska. Paqja dhe integriteti territorial i Bosnje dhe Hercegovinës është i një rëndësie vendimtare jo vetëm nga një perspektivë lokale, por edhe nga një perspektivë rajonale dhe në të vërtetë evropiane.

Ne jemi jashtëzakonisht të alarmuar nga përshkallëzimi i tensionit politik brenda Bosnje dhe Hercegovinës, i nxitur nga Milorad Dodik, anëtari serb i presidencës trepalëshe të vendit. Nëse përpjekja e z. Dodik për të shpërbërë vendin dhe për të vendosur pavarësinë e RS duke u tërhequr nga institucionet shtetërore dhe duke ngritur autoritete të pavarura në territorin e RS është e suksesshme, pasojat e saj do të ndihen shumë përtej kufijve të Bosnje Hercegovinës, ku do të sjellë pasoja të rënda edhe për politikën e jashtme të BE-së.

Si një palë neutrale me ndikim të konsiderueshëm, Komisioni ka një rol kyç për të siguruar që konkluzionet e Marrëveshjes së Dejtonit të respektohen nga të dyja palët.

Megjithatë, jo të gjitha vendet anëtare të BE i ndajnë këto synime. Është raportuar gjerësisht se qeveria aktuale hungareze po mbështet aktivisht fushatën e z. Dodik për të ndjekur strategjinë e tij politike në ndarjen e Bosnje dhe Hercegovinës, siç dëshmohet nga një mbështetje e fundit prej 100 milion euro nga Hungaria për Republikën Srpska, pak përpara zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme në Bosnje.

Megjithatë, edhe më shqetësues është një dokument i zbuluar, i cili është nënshkruar nga Johann Sattler, Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Bosnje dhe Hercegovinë, ku thuhet se komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, ka bashkëpunuar hapur me Milorad Dodik për ndarjen e mundshme të Bosnje dhe Hercegovinës. Raporti vëren se komisioneri Varhelyi ‘u pajtua’ me z. Dodik lidhur me datën e një sesioni të posaçëm të Asamblesë Kombëtare të Republikës Sprska dhe se do të shpallej një moratorium 6-mujor për të miratuar legjislacionin mbi tërheqjen e njëanshme nga institucionet shtetërore, raporton Shqiptarja.com.

Ne dëshirojmë të pyesim nëse Komisioni konsideron se sjellja e komisionerit Varhelyi ishte në përputhje me politikën zyrtare të BE-së ndaj Bosnje Hercegovinës? A mund të presim një hetim për të përcaktuar nëse veprimet e tij janë në përputhje me rolin e tij si Komisioner për Fqinjësinë dhe Zgjerimin? Cili është qëndrimi i Komisionit në lidhje me integritetin territorial të Bosnje Hercegovinës dhe si planifikon Komisioni të sigurojë që konkluzionet e Marrëveshjes së Dejtonit nuk do të shkelen?/Përgatiti Shqiptarja.com

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here