“Ky është momenti i Evropës”, Presidentja e KE-së prezanton paketën prej 750 mld euro. Ja si do të jepet ndihma për rindërtimin e ekonomisë pas krizës

0
6

Komisioni Evropian ka propozuar një paketë në vlerë totale prej 1.85 trilionë euro për buxhetin e ardhshëm afatgjatë të BE-së dhe një fond të rimëkëmbjes për ekonomitë e prekura nga pandemia e koronavirusit.

“Komisioni sot po propozon një instrument të ri të rimëkëmbjes, të quajtur ‘Gjenerata tjetër e BE’. Në total, ky Plan Evropian i Rimëkëmbjes do të vendosë 1.85 trilionë euro për të ndihmuar në ringritjen e ekonomisë dhe për të siguruar që Evropa të kthehet si më përpara”, tha ekzekutivi i BE-së në një deklaratë.

Plani i rimëkëmbjes me vlerë 750 miliardë euro është propozuar nga Komisioni Europian për të ndihmuar BE-në të menaxhojë krizën që ka pushtuar vendet pas shpërthimit të COVID-19. Mësohet se paketa do të përbëhet nga grante dhe kredi për çdo shtet anëtar të BE-së.

Ekonomitë e të 27 vendeve të BE-së janë shkatërruar nga pandemia, por disa prej tyre kanë qenë në borxhe edhe përpara saj. Plani ekonomik u bë publik nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila do të shpjegojë se si do të paguhet fondi.

“Kjo ka të bëjë me të gjithë ne. Ky është momenti i Evropës”, i tha von der Leyen, Parlamentit Evropian.

Komisionari për Ekonomi i BE-së, Paolo Gentiloni, tha se fondi është një “pikë kthese”. Megjithatë, pa miratimin e të gjitha vendeve anëtare, ai nuk mund të ecë përpara, pasi disa shtete kundërshtojnë marrjen e borxheve për vendet e tjera.

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here