FC Shkupi me Shqipërinë, shitjet e biletave nga ndeshja do të dorëzohen në Durrës

0
3

Institucionet qendrore dhe lokale si dhe qytetarë të shumtë të Maqedonisë së Veriut të organizuar nga shoqatat civile janë aktivizuar për të ndihmuar banorët e Shqipërisë të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit.

Organizimeve të shumta që po bëhen në Maqedoninë e Veriut iu bashkangjit edhe klubi futbollistik FC Shkupi, kryesia e të cilit vendosi që mjetet e grumbulluara nga shitja e biletave në ndeshjen e zhvilluar sot kundër Akademia Pandevit në kuadër të xhiros së 16-të të Ligës së Parë, të dorëzohen në Durrës.

Drejtori sportiv i FC Shkupit, Omer Bunjaku, në deklaratën për mediat para fillimit të ndeshjes, nuk kishte informacion të saktë se sa mjete mund të grumbullohen, por tha se janë nxjerrë në shitje më shumë bileta se sa është kapaciteti i stadiumit.

“Ne si klub e pamë të arsyeshme që t’u ndihmojmë vëllezërve tanë në Shqipëri. Në bashkëpunim me tifo-grupin ‘Shvercerat’ morëm një vendim që këto bileta të cilat do të shiten, paratë t’i dërgojmë në ato famije që kanë nevojë. Numrin e saktë se sa janë shitur nuk e kam për momentin, por besoj që do t’iu informojmë në ueb-faqen tonë, por kemi nxjerrë në shitje më shumë bileta se sa është kapaciteti i stadiumit”, tha Bunjaku, i cili shtoi se po shqyrtohet edhe forma të tjera të ndihmës të cilat do të shqyrtohen nga kryesia e klubit.

Ndërkohë gjatë ndeshjes, tifozët e FC Shkupit kishin vendosur një pankartë me mbishkrimin “Jemi një gjak e mish e asht”, ndërsa në shenjë respekti për viktimat e tërmetit, kishin vendosur që të mos bëjnë tifo me këngë, siç ndodh zakonisht.

I pranishëm ishte edhe kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, i cili foli edhe për ndihmat e siguruara nga Komuna e Çairit, duke theksuar se kanë pasur dëshirë të solidarizohen me të gjitha qytetet dhe shtetet që japin përkrahje me iniciativa të ndryshme.

“Ne dje në Këshillin komunal kemi kaluar një shumë të të hollave prej 12.000 eurove apo 720.000 denarëve të cilat ia kemi kaluar qeverisë shqiptare në xhirollogari. Por, edhe dje e kemi cekur se aty nuk ndalen aktivitetet tona. Me donatorë të ndryshëm, me njerëz të komunës që kanë shprehur dëshirë të japin në mënyrë vullnetare edhe të holla, edhe mjete tjera të cilat janë të nevojshme për momentin. Ne dje e kemi nisur një furgon me medikamente, me batanije, me rekuizite të ndryshme që ambasada (e Shqipërisë) i ka kërkuar për momentin dhe të cilat kanë qenë të domosdoshme”, tha Ganiu.

Ai gjithashtu tha se në Durrës janë prezent disa vullnetarë, një automjet i zjarrfikësve bashkë me stafin profesional ndërsa paralajmëroi edhe nisjen e një furgoni me ushqime për fëmijë dhe medikamente.

Përpos Komunës së Çairit, për sanimin e dëmeve nga tërmeti i 26 nëntorit që goditi Shqipërinë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka ndarë 6 milionë denarë (rreth 100.000 euro); Qyteti i Shkupit ka ndarë 3 milionë denarë (rreth 50.000 euro); Komuna e Tetovës ka donuar 1,5 milionë denarë (rreth 25.000 euro), mjete që paraprakisht ishin destinuar për zbukurimin e qytetit për festat e fundvitit.

Komuna e Gostivarit gjithashtu ka realokuar mjetet e destinuara për zbukurimin e qytetit për festat e fundvitit. Bëhet fjalë për 1,1 milionë denarë (rreth 18.000 euro). Komuna e Kërçovës ka ndarë 720.000 denarë (rreth 12.000 euro), ndërsa Komuna e Strugës ka ndarë 1 milion denarë (rreth 16.500 euro).

Përpos mjeteve financiare, institucione të shumta qendrore dhe lokale kanë dërguar ekipet e tyre të zjarrfikësve, ekipet e kërkim-shpëtimit, të pajisura mes tjerash edhe me kamera termike dhe dronë si dhe me qenë të stërvitur për fatkeqësi të këtilla natyrore.

Gjithashtu, komunat e banuara me shqiptarë kanë anuluar aktivitetet festive së 28 nëntorit, ndërsa komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Strugës, kanë shpallur ditë zie.

Krahas përpjekjeve të institucioneve, edhe qytetarë të shumtë, të organizuar nga shoqatat humanitare dhe shoqatat tjera, kanë hapur pika grumbullimi nëpër lokacione në qytete të ndryshme duke grumbulluar dhe dërguar ndihma nga më të ndryshmet./AA

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here