Gjermania do të marrë nga autoritetet turke të dyshuarit e DEASH-it

0
3

Gjermania ka konfirmuar se do të marrë mbrapsht disa të dyshuar të DEASH-it, së bashku me gratë dhe fëmijët e tyre, të cilët u kapën nga autoritetet turke.

Duke folur në një konferencë për media në Berlin, zv/zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Christofer Burger, tha se autoritetet turke i kanë informuar ata se këtë javë do të deportojnë dhjetë shtetas gjermanë në vendin e tyre.

“Autoritetet gjermane kanë verifikuar identitetin e këtyre tre burrave, pesë grave dhe dy fëmijëve”, tha Burger, duke mos dhënë detaje të tjera.

Mediat lokale raportuan se autoritetet gjermane besojnë se shtatë prej të dyshuarve kanë lidhje me grupin terrorist DEASH.

Sipas agjencive gjermane të sigurisë, që nga fillimi i luftës civile siriane në vitin 2011, mbi 1.050 luftëtarë të huaj udhëtuan nga Gjermania për në zonat e konfliktit në Siri dhe Irak.

Çështja e trajtimit të anëtarëve të DEASH-it dhe familjeve të tyre të arrestuar në Siri, përfshirë anëtarët e huaj të grupit terrorist, ka qenë mjaft e diskutueshme, me Turqinë që argumenton se terroristët me origjinë të huaj duhet të riatdhesohen në vendet e tyre të origjinës.

Ankaraja ka deklaruar se disa vende evropiane refuzuan përpjekjet e saj për t’i kthyer anëtarët e DEASH-it përsëri në vendet e tyre.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, javën e kaluar bëri të ditur se deri më tani, Turqia ka deportuar 7.500 anëtarë të DEASH-it, duke shtuar se aktualisht janë 1.149 terroriste të DEASH-it në burgjet turke./AA

Na ndiqni ne: https://www.facebook.com/groups/481665645546305/

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here