Golemi për ATSH-në: Fluks turistësh në Gjirokastër, rreth 10 mijë prej fillimit të vitit

0

TIRANË, 14 maj/ATSH/ Turistët vendas e të huaj po gjallërojnë kalldrëmet e gurta të qytetit të Gjirokastrës, ku qendra muzeale mbetet si përherë destinacioni fillestar, pasi pothuajse të gjithë e nisin vizitën nga kalaja e qytetit.

Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, tha sot për ATSH-në se “kemi një trend në rritje të fluksit të turistëve në bashkinë e Gjirokastrës. Prej fillimit të vitit janë rreth 10 mijë turistë, të cilët kanë vizituar qytetin e gurtë dhe rrethinat”.

“Pikat më të frekuentuara janë Pazari karakteristik, kalaja e Argjiros, banesat karakteristike të Zekatëve, Skëndulajve, Parku Natyror i Viroit apo vlerat e trashëgimisë kulturore në njësitë administrative si Parku Arkeologjik i Antigonesë, objektet e kultit, etj”, tha Golemi.

Kryebashkiaku Golemi shprehet se vëmendjen e turistëve e tërheqin edhe vlerat natyrore dhe resurset e agroturizmit në fshatra.

Bashkia e Gjirokastrës po organizon një kalendar të pasur aktivitetesh kulturore, artistike, promovimit të vlerave të folkut, traditës, etj.

“Të gjitha strukturat e bashkisë janë bërë pjesë e masave për sezonin turistik për një mjedis të pastër dhe gjallërimin e qytetit të gurtë. Për t’u përmendur janë investimet në drejtim të rivitalizimit të Muzeut Etnografik dhe Shtëpisë Kadare”, nënvizoi Golemi.

Turistët që vizitojnë qytetin e gurtë mbeten përherë të mahnitur nga paketa e plotë turistike që u ofron qyteti dhe rrethinat përreth. Gjirokastra po renditet përherë e më shumë në qytetet elitare të turizmit shqiptar, duke thithur një numër gjithnjë në rritje të turistëve.

E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend. Kalaja e gurtë dhe parku i Antigonesë vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës.

KOMENTO

Please enter your comment!
Please enter your name here